VV i kërkon Presidentit Thaçi të mos e dekretojë Radomir Labanin në Kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje i ka shkruar Presidentin Hashim Thaçi, duke kërkuar nga ky i fundit që të mos e dekretojë si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, anëtarin e zgjedhur, Radomir Laban.

“Deputetja Albulena Haxhiu, në emër të Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! i ka dërguar sot letër zyrës së Presidentit të Kosovës, për të mos e emëruar si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese Radomir Laban. Sipas informacioneve që janë bërë publike në media, i njëjti është dënuar si pjesë e një grupi kriminal”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Vetëvendosjes ata e kanë kuptuar këtë informatë pak para votimit. Edhe pse kanë tentuar ta ndalin votimin pro për Labanin, ata s’kanë arritur ta ndalin.

“Në këto kushte po njoftojmë dhe po paralajmërojmë Presidentin që nëse dhe ai nuk e kthen këtë vendim që përmban shkelje të rëndë të Kushtetutës, do t’i hapet rrugë delegjitimimit të institucionit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përfundim të kësaj komunikate.