VV e RTK Ndryshe për Intervistën e Ymerit

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu në një konferencë për gazetarë tha se RTK-ja i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së këtij subjekti për ta intervistuar Ymerin, por pastaj menaxhmeti i RTK-së kishte njoftuar këtë subjekt politik për anulimin e intervistës që sipas Sejdiut do të zhvillohej sot.

“Sot Zyra për Media e Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë një njoftim ku thuhet që menaxhmenti ka vendosur që për shkak të gjuhës së Lëvizjes Vetëvendosje ndaj televizionit publik, kjo intervistë nuk do të realizohet,” tha Sejdiu.

Ai tutje ftoi asociacionet dhe organizatat e shoqërisë civile që merren me lirinë e medies të merren me këtë rast, për shkak se siç thotë ai, i është mohuar paraqitja e qëndrimeve partisë më të madhe opozitare.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Aida Dërguti ngriti një paralele me liderët e tjerë.

“Kur Hashim Thaçi e Isa Mustafa thirrin konferenca për t’i mashtruar qytetarët, RTK-ja e transmeton drejtpërdrejt,” tha Dërguti.

“Menaxhmenti i RTK-së me këto vendime po e keqpërdor paranë e qytetarëve, e nga këta qytetarë ka edhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje,” vazhdoi ajo.

KALLXO.com kontaktoi me Mentor Shalën, drejtorin e përgjithshëm të RTK-së në lidhje me akuzat e “Vetëvendosjes”, por Shala nuk dha ndonjë përgjigje me arsyetimin se menaxhmenti i RTK-së do të dalë me një sqarim në lidhje me intervistën e Visar Ymerit.

“RTK, si institucion ligjor i Republikës së Kosovës, ku definohet edhe si institucion i rëndësisë së veçantë, ka kërkuar ditë më parë që Lëvizja Vetëvendosje të heqë dorë nga gjuha e urrejtjes, sidomos pas rastit të hedhjes së granatës së dorës,” thuhet në sqarimin e menaxhmentit të RTK-së.

Më tutje ky menaxhment bën me dije se Ymerit iu ofrua një format televiziv përballë analistëve.

“Është kërkuar që intervista e planifikuar me z. Visar Ymeri të realizohet në formatin tashmë të njohur ‘përballë analistëve’. Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë refuzuar këtë format televiziv, pa dhënë ndonjë shpjegim,” thuhet më tutje në sqarimin e RTK-së.

Vetëvendosja kritikoi RTK-në edhe para dy ditësh kur mbajti një konferencë në lidhje me publikimin e bisedave të përgjuara nga Insajderi.

“Nuk mund të presim të na tregojë të vërtetën RTK-ja sepse menaxhmenti i këtij mediumi është i vendosur në funksion të klanit pronto,” tha më 24 gusht Ylli Hoxha në një konferencë tjetër të “Vetëvendosjes”.

Atë ditë drejtori i përgjithshëm i RTK-së Mentor Shala tha se një parti politike nuk mund të tregojë se si duhet të jetë një televizion publik.

“Kam kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje ta ndalë gjuhën ofenduese, shantazhuese dhe nxitëse ndaj transmetuesit publik, për shkak se është subjekt politik dhe ky është parim ndërkombëtar, media dhe politika duhet të mbajnë distancë nga njëra tjetra. Nuk mundet me dalë një parti politike me tregu se si duhet të jetë një transmetues publik,” tha Shala.

http://kallxo.com/vv-klani-pronto-kontrollon-policine/