VV e LDK Nisin Bisedimet e Ndërprera për Qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në proces të përafrimit të qëndrimeve për një qeveri të përbashkët.

I nominuari për Kryeministër nga VV-ja, Albin Kurti dhe Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, janë takuar sot për të diskutuar një bashkëpunim të mundshëm në formimin e institucioneve.

Këto diskutime i ka konfirmuar edhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i cili deklaroi se përjashton çfarëdo mundësie për përkrahjen e PDK-së apo PAN-it në formimin e qeverisë.

“Me PDK jemi deklaruar qartë se nuk do ta përkrahim asnjë qeveri ku është PDK, me VV jemi të hapur të bashkëpunojmë, të shohim se sa mundemi ta përshtasim programin si program të përbashkët në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje po ashtu kanë konfirmuar këtë takim përmes rrjeteve sociale.

Koalicioni i mundshëm PDK-LDK vjen pas gjashtë përpjekjeve të dështuara  për konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve të mbajtura më 11 qershor, meqënese nuk po arrihet votimi i Kryetarit të Kuvendit.

Megjithatë, Haziri ka bërë të ditur se ekzistojnë disa çështje të cilat kërkojnë diskutim të thellë në mes të liderëve të LDK-së dhe VV-së sic është përafrimi i programit politik si dhe sulmet që sipas tij VV-ja i ka bërë ndaj Isa Mustafës.

“Në të ardhmen bisedat do të fokusohen në përafrim të politikave dhe më vonë bisedimet do të kalojnë në nivel të liderëve dhe do të diskutohen të gjitha ato çështje që janë në interes të përbashkët për t’i dhënë vendit institucione sa më shpejt”, tha Haziri.

Seanca e fundit konstituive e Kuvendit të Kosovës u përcoll me shumë polemika e fyerje nga liderët e partive të mëdha politike.

http://kallxo.com/video-polemikat-mes-kadri-veselit-e-albin-kurtit/