Nga një protestë në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

VV dhe Policia: Nuk Do t’i Rrezikojmë Nxënësit

Dita e parë e vitit shkollor përkon me protestën e paralajmëruar të “Vetëvendosjes” kundër marrëveshjes së demarkacionit, ndërsa analistët thonë se gjatë eskalimeve të mundshme më të rrezikuarit janë fëmijët.

“Sigurisht se nëse eskalon situata së pari të rrezikuar janë fëmijët, pastaj të vjetrit e kategori të caktuara. Edhe prindërit, edhe mësimdhënësit, por edhe policia në këtë rast duhet të ketë kujdes të veçantë edhe nëse përdoret gaz lotsjellës, ose elemente të tjera që ato mos t’i prekin fëmijët,” thotë njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani për KALLXO.com.

Ramadani deklaron se fëmijët rrezikohen në të gjitha protestat që mund të zhvillohen e eskalojnë gjatë tërë vitit shkollor e jo vetëm më 1 shtator.

“Gjithmonë kur ka protesta që eskalojnë apo përdoret dhunë, fëmijët janë kategoria më e rrezikuar por ajo mund të ndodhë në çdo ditë të shkollës jo vetëm ditën e parë,” thotë Ramadani.

Por Lëvizja “Vetëvendosje” siguron se nuk ka nevojë të krijohet panik.

“Protestat gjithmonë janë organizuar në kohën kur kanë qenë të hapura edhe shkollat, por kjo nuk ka paraqitur ndonjë problem. Protestat mbahen në Sheshin ‘Skënderbeu’ dhe Sheshin ‘Nëna Terezë’ ku nuk ka asnjë shkollë dhe nuk mendojmë që rrezikohet askush nga protestat,” tha për KALLXO.com zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje” Frashër Krasniqi.

Megjithatë, zyrtarë të kësaj partie që në qershor të këtij viti paralajmëruan radikalizim, nëse marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi shkojnë në Kuvend.

http://kallxo.com/konjufca-marreveshjet-ne-kuvend-sjellin-radikalizim/

Shkolla Fillore “Faik Konica”, e ndodhur në qendër të Prishtinës, është më e rrezikuara nga eskalimi i mundshëm i protestave që zhvillohen në sheshet e kryeqytetit.

Më 18 nëntor të vitit të kaluar kur partitë opozitare filluan një protestë pas arrestimit të deputetes së atëhershme të AAK-së Donika Kadaj-Bujupi nga policia, KALLXO.com shkroi për një fëmijë me probleme shëndetësore të cilit iu keqësua gjendja pasi thithi gazin lotsjellës të hedhur nga policia në drejtim të protestuesve dhe u frikësua nga skenat që pa.

Ky fëmijë atë ditë edhe pse u nis për në shkollë në shoqëri të nënës së tij, u detyrua të kthehej pa mbajtur mësim.

http://kallxo.com/nxenesi-i-semure-thithi-lotsjellesin-e-protestes/

“Vetëvendosja” thotë se asnjëherë në protestat e organizuara prej saj nuk është lënduar ndonjë fëmijë.

“E nëse policia gjuan gaz lotsjellës në oborrin e Shkollës ‘Faik Konica’, atëherë nuk është faji i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ por i policisë, sepse ata kanë gjuajtur gaz lotsjellës në një shkollë ku ka fëmijë,” shpjegon Frashër Krasniqi.

Ndërsa zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti tha për KALLXO.com se Policia e Kosovës do veprojë konform situatës në terren dhe do të marrë masat e nevojshme.

Drejtorja e Arsimit në Komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci thotë se është kompetencë e prindërve të kujdesen për arritjen e sigurt të fëmijëve të tyre në shkollë.

“Ne do të mbajmë një mbledhje me drejtorët për të diskutuar dhe vendosur për shumë çështje rreth fillimit të vitit shkollor. Ne u bëjmë thirrje shkollave që të respektojnë orarin e mësimit si dhe besojmë që është kompetencë e prindërve për t’u kujdesur për arritjen e sigurt të fëmijëve në shkollë dhe marrjen e tyre  nga shkolla,” thotë Nagavci.

Njohësi i çështjeve të sigurisë Burim Ramadani i bën thirrje policisë që të krijojë një vijë ndarëse mes protestuesve dhe shkollave, ose oborreve të tyre.

“Policia duhet të vendosë mekanizëm mbrojtës apo vijë ndarëse në mes të protestuesve dhe shkollave apo oborreve të shkollave,” thotë Ramadani.

Shumica e protestave opozitare të zhvilluara vitin e kaluar dhe sivjet kundër asociacionit dhe demarkacionit kanë përfunduar me përleshje mes protestuesve e policisë, lëndime të të dy palëve, arrestime dhe dëmtime të pronës publike.