Rexhep Selimi

VV: Dekada e Pavarësisë më Shumë Stagnime sesa Arritje

Dy ditë para dhjetëvjetorit të pavarësisë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, me anë të një konference për media, numëroi të arriturat dhe stagnimet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

“Normalisht po filloj nga të arriturat ku për fatin jo të mirë nuk janë të shumta e as të pritshmet, sidomos të priturat nga qytetarët e Kosovës të cilët 10 vite më parë iu gëzuan shumë shpalljes së pavarësisë”, tha Selimi.

Ai shtoi se njohja e Kosovës nga 115 shtete të tjera është e arritur, edhe pse tha se për këtë numër shpesh është spekuluar.

“Janë rreth 115 vende që kanë njohur Kosovën. Nuk po them rastësisht rreth 115, sepse jo rallëherë është spekuluar me këta numra.  Kjo është një nga të arriturat në këtë 10 vjeçar. Njohje as të mjaftueshme, e as të nevojshme që Kosova ta ketë emrin aty ku duhet, sepse këto njohje kanë ndodhur 2 vite pas shpalljes së pavarësisë”, shtoi Selimi.

Ai përmendi edhe medaljet e arta të xhudistes kosovare Majlinda Kelmendi.

“Nganjëherë në listë të arritjeve jemi të detyruar të përmendim edhe medaljet e arta të Majlinda Kelmendit”, tha Selimi.

Ai konstatoi se lista e atyre “çka Kosova nuk bëri këto 10 vite është e gjatë”.

Stagnim Selimi i cilësoi bisedimet em Serbinë.

“E para filloi me hapjen e negociatave me Serbinë pikërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, negociata të cilat vetvetiu duke qenë se Kosova tashmë ishte shtet i shpallur, këto negociata e kanë kontestuar vetë atë që kanë shpallur kohë më parë përfaqësuesit e Kosovës. Pra, si pasojë kemi vetë nga ana e Qeverisë së Kosovës kontestimin e kësaj pavarësie kur janë vënë rinegociatat me Serbinë”, tha Selimi.

Ai përmendi edhe marrëveshjet të cilat i quajti të dëmshme.

“Si pasojë e bisedimit me Serbinë  janë ndërmarrë edhe shumë marrëveshje secila veç e veç e të gjitha bashkë në dëm të Kosovës, e më pas kemi pasur edhe ndarjen e Kosovës në baza etnike, ndarjen e Mitrovicës në veri e jug, ndarjen e policisë në baza etnike edhe rënien drastike të njohjeve pra, këto solli rifillimi i negociatave me Serbinë”, shtoi më tej Selimi.

Në listën e stagnimeve sipas Selimit janë edhe keqqeverisjet e qeverive të kaluara dhe të tashme.

“Paralelisht me këtë, kanë ndodhur në vazhdimësi nga të gjitha qeveritë, keqqeverisjet, të cilat kanë shkaktuar edhe korrupsion edhe krim të organizuar në Kosovë, ku krimi e korrupsioni po del të jetë përcjellësi kryesor i Qeverisë në Kosovë”, tha ai.

Sipas Selimit, Gjykata Speciale është e padrejtë kundër UÇK-së, Kosova ka stagnuar edhe në UNESCO edhe në INTERPOL.

Ushtria e Kosovës është ajo që sipas Selimit, garanton një shtet, ndërsa Kosova ka stagnuar tash e 10 vjet në të.

“Kemi stagnuar edhe në UNESCO edhe INTERPOL, kemi dështuar po ashtu ta bëjmë garantuesin e pavarësisë, kemi dështuar ta bëjmë ushtrinë e Kosovës kur sot Kosova edhe pas 10 viteve pavarësi nuk e kemi garantuesin e shpalljes së pavarësisë, pra ushtrinë”, tha Selimi gjatë konferencës.

I pyetur për marrëveshjen me Malin e Zi, Selimi tha se Kosova nuk ka nevojë të armiqësohet me këtë të fundit, por nuk duhet ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit.

“Është mirë që Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë raporte armiqësore, por kanë marrëdhënie demokratike. Por Marrëveshja për Demarkacion me Malin e zi ka rezultuar se është marrëveshje e dëmshme për Kosovën ku kjo e fundit humb territor të saj, është mirë të kemi një raport siç është ai i Bulliqit i cili i rekomandon Parlamentit të Kosovës që të mos ratifikojë këtë marrëveshje dhe pres që parlamenti të mos ta ratifikojë dhe po ashtu pres nga vizita që mes Kosovës dhe Malit të Zi të jenë ashtu siç duhet të jenë, por në anën tjetër Parlamenti i Kosovës ta kthejë në pikën zero këtë marrëveshje, duke i hapur rrugë rinegocimit dhe asnjëherë ratifikimit”, tha Selimi.

Sipas tij, LVV-ja është për demarkacion, por një të mirëfilltë dhe jo të dëmshëm.