Foto: Facebook

VV: Bojkoti i PAN-it Është Sulm Ndaj Shtetit

VV thotë se PDK po përpiqet që krizën e brendshme ta bartë në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Me paralajmërimin për të mos marrë pjesë në seancën në seancën e rregullt të caktuar për nesër, PAN, sipas Vetëvendosjes, sërish shkel procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhdon bllokimin e themelimit të institucioneve.

“Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së”, thekson VV.

“Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’”, vlerëson Vetëvendosje, sipas të cilës ata, koalicioni PAN, janë të interesuar që të jenë pushteti sepse kështu e garantojnë sigurinë e vet.

Duke tërhequr vërejtjen se për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës nga “loja e rrezikshme e PAN-it”, Vetëvendosje thërret të gjithë deputetët e Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive.

“Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit”, thuhet në këtë reagim të Vetëvendosjes.