Vushtrria Shënon 100 Vjetorin e Shkollës së Parë Shqipe

Kryetari i komunës, Bajram Mulaku theksoi se Hasan Prishtina, Bajram Curri, Izet Badivuku kanë qenë kontribuuesit e parë të arsimit shqip në Vushtrri.

“Ne shprehim kënaqësinë që e kemi përjetuar këtë përvjetor dhe secili prej nesh ndajmë pak a shumë historitë të këtij përvjetori, të kësaj periudhe 100 vjeçare në arsimin shqip”, tha Mulaku.

Ndërkaq, Kryetari i shoqatës së veteranëve të arsimit në Vushtrri, Ferit Dibrani përmendi emrat e shquar të cilët kontribuan në këtë shkollë.

“Mirënjohje për mësuesit e parë të shkollës së gjuhës shqipe 1915-1918, Abdullah Hadri mësues i gjuhës shqipe dhe drejtor i shkollës, Abide Pirqi, Ahmet Efendiu, Emin Hoti, Feride Maxhuni”, u shpreh ai.

Historiani, Izet Maxhuni e tregoi historinë e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Vushtrri.

“Qyetati ynë Viciana antike ka një traditë të vjetër kulturore dhe arsimore. Ky qytet i dha mësuesin Gjergj Kastriotit Skënderbeut e që ishte Mehmet Pashë Zogaj. Në këtë vend u lind dhe u rrit Hasan Prishtina, protagonist kryesor i lidhjes kombëtare shqiptare 1908-1912”, rrëfeu ai.

Gjatë kësaj akademie pati edhe program të larmishëm kulturo-artistik nga nxënësit e disa prej shkollave të Vushtrrisë.