Nga takimi Vuçiq- Tanin. Foto: Zyra e Presidentit të Serbisë

Vuçiq: UNMIK Garanton Neutralitet Ndaj Statusit të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot në Beograd shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin me të cilin ka diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit të Serbisë me këtë mision.

Sipas komunikatës së Zyrës së Presidentit serb, Vuçiq ka kërkuar që të ruhet dinamika e mbajtjes së raportimeve për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çdo tre muaj, pavarësisht kërkesave të institucioneve të Kosovës dhe një pjese të anëtarëve të KS të OKB-së që këto raportime të mbahen më rrallë.

“Ai (Vuçiq) nënvizoi se puna e UNMIK-ut është shumë e rëndësishme për Serbinë pasi që Misioni i OKB-së, në bazë të Rezolutës 1244, garanton neutralitet në stasus dhe prani ndërkombëtare në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Vuçiq, prania ndërkombëtare në Kosovë është e rëndësishme edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.

Vuçiq ka thënë se në dy vitet e fundit, në Kosovë ka pasur “më pak incidente në baza etnike”.