Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL/EPA

Vuçiq: Serbët nuk do ta Pranojnë Njohjen e ‘Plotë’ të Kosovës

Serbët nuk do ta pranojnë plotësisht pavarësinë e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Europian, i ka thënë agjencisë Reuters, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se çdo vendim do të duhej të vendosej përpara votuesve serbë.

“Populli duhet të vendosë”, ka thënë ai, duke shtuar se ka dyshime të mëdha që të njëjtit do ta miratonin njohjen e plotë të Kosovës.

“Na duhet të shohim realitetin e sotëm dhe të kuptojmë marrëdhëniet në botë dhe në Kosovë, por edhe të kuptojmë se Kosova nuk është e jona ashtu siç ne e kemi mësuar veten, mirëpo nuk është as e tyre siç tentojnë të shprehen ata”, ka thënë presidenti serb.

“Nëse nuk do të ketë kompromis, ne do ta vazhdojmë për dekada këtë konflikt. Ne nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë që të përballen me këtë gjë”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se është i mundshëm një kompromis, mirëpo që duhet të jetë i bazuar në “vullnetin politik në Bruksel dhe jo në shtimin e presionit ndaj Serbisë”.