Aleksandar Vuçiq - Foto: Beta

Vuçiq Pritet të Vijë të Shtunën në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të vijë në Kosovë të shtunën.

Kështu ka thënë për televizionin publik serb, RTS, Marko Gjuriq, i cili drejton Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

“Detyra jonë është të përpiqemi të ndriçojmë rastin e vrasjes dhe Serbia nuk do të rrijë duarkryq derisa vrasësi i Oliver Ivanoviqit të dalë para drejtësisë“, ka thënë Gjuriq.

“Të jesh me popullin tonë në Kosovë kur ai është në vështirësi. Ai do të shkojë të shtunën në veri të Kosovës dhe në Kosovën qendrore për të biseduar me popullin tonë rreth trazirave me të cilat po përballen, për të qenë me ta në momentin më të vështirë dhe për të ndërtuar së bashku forcën që na nevojitet në këto kohë të vështira”, ka shtuar ai.

Në një deklarim për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Serbisë Vuçiq paralajmëroi mundësinë e ardhjes në Kosovë pas ngjarjes së sotme në Mitrovicën Veriore, ku në një atentat u vra politikani Oliver Ivanoviq.

Në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të Sigurisë të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i pyetur lidhur me paralajmërimin e presidentit serb për një vizitë në Kosovë, tha se çdo vizitë për të komunikuar me komunitetin serb e që ka qëllime të mira ne nuk kemi qenë asnjëherë kundër.

“Nuk ka pse të shqetësohet askush për gjendjen e sigurisë të qytetarëve serbë të Kosovës sepse institucionet e Kosovës janë në nivel të detyrës, duke shtuar këtu faktin se kemi edhe KFOR-in, i cili bën brezin e tretë të sigurisë. Ka pasur vizita të tilla dhe mundn të ketë por qytetarët e veriut garancë për sigurinë e tyre kanë institucionet e vendit”, theksoi Haradinaj.