Vuçiq Pritet të Vijë Nesër në Kosovë për Fushatë Zgjedhore

Vuçic i tha ‘TV Pink’ që po planifikon të vizitojë Kosovën pa ministrat e tij, por pasi mediet raportuan se Prishtina do të kushtëzojë vizitën e tij ai deklaroi se nuk është i sigurt për vizitën.

Vuçic është paraparë të vizitojë komunat të udhëhequra nga serbët, megjithë mungesën e informacionit mbi atë se a do të mbahen zgjedhjet e Serbisë të vendosura me 2 prill edhe në Kosovë dhe në çfarë forme.

Senad Saboviç, zëdhënës për OSBE-në në Kosovë, që deri tani ka qenë përgjegjës për zgjedhjet në Serbi tha për BIRN se konsultimet mbi zgjedhjet janë duke vazhduar ende.

“Kemi pasur kontakt të vazhdueshëm me akterë relevantë në Prishtinë dhe Beograd. Sapo të sqarojmë të gjitha detajet ne do të informojmë publikun. Shpresojmë se kjo do të ndodhë ditëve në vazhdim”, tha Saboviç.

Ai shtoi se OSBE është gati për anën teknike të implementimit të këtij procesi në të cilën votat do të mblidhen në Kosovë.

Komisioni Republikan për Zgjedhje i Serbisë (RIK) më parë ka thënë se votimi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të mbahen në 90 vendvotime në Kosovë.

RIK deklaroi se kutitë e votimit pastaj do të merreshin siç kishte ndodhur në zgjedhjet  e vitit 2012, 2014 dhe 2016 në qytetin serb të Rashkës për t’u numëruar. Njoftimi është bërë megjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në qershor të vitit të kaluar se çdo votë e numëruar jashtë Kosovës është e paligjshme.