Vuçiq në Kosovë Për t’i Ofruar Siguri Serbëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqit e ka paralajmëruar për të shtunën një vizitë në Kosovë.

Vendimin për të vizituar Republikën e Kosovës, Vuçiq e mori pak orë pas vrasjes përmes një atentati të liderit politik serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

E ardhja e Vuçiqit në Kosovë do të jetë vetëm 4 ditë pas vrasjes së Ivanoviqit që u vra dje në orët e para të mëngjesit afër selisë së partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.

Për të vizituar Kosovën, Presidentit serb iu është dashur që fillimisht të kontaktoj me institucionet kosovare, përkatësisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Zyrtarët e kësaj të fundit e kanë konfirmuar sot gjatë ditës për KALLXO.com se i kanë dhënë leje për vizitë, por se ata presin që Vuçiq të sjellët mirë  dhe ti respektoj rregullat.

“Sipas kërkesës që është parashtruar nga Presidenti i Serbisë ndaj Institucioneve të Republikës së Kosovës për vizitë në Kosovë, ne i kemi dhënë leje për këtë vizitë dhe presim që ai të sillet mirë dhe të respektojë rregullat e lejes gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës”, ka thënë për KALLXO.com dje gjatë ditës, Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit Pacolli

http://kallxo.com/vuciqit-lejohet-vizita-ne-kosove/

Ish-përfaqësuesi i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, Lulzim Peci në një prononcim për KALLXO.com tha se Vuçiqi do të vjen të shtunën në Kosovë, kinse për ti garantuar siguri serbëve në Kosovë.

“Vuçiqi është duke ardhur në Kosovë për t’ju “garantuar siguri” serbëve të Kosovës, për pasigurinë dhe presionin që është duke ushtruar ndaj tyre përmes ngufatjes së pluralizmit politik dhe shprehjes së lirë nga ana e Listës Serbe”, tha Peci për KALLXO.com

Ndërsa njohësin e çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj tha se presidenti serb po synon ta shfrytëzoj situatën e krijuar në favor të vetin duke tentuar kështu të dërgoj mesazhin se po kujdeset për serbët në Kosovë.

“Beogradi po synon që ta shfrytëzojë në favor të vetin situatën e krijuar. Vuçiq po përpiqet të sjell mesazh se po kujdeset për serbët në Kosovë, ndërkohë që me bekimin e tij në veri të vendit është krijuar klima e linçimit dhe e sulmeve ndaj te gjithë atyre që kanë qëndrim ndryshe”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Sipas tij, në vend të Vuçiqit, vizitë në këtë pjesë të Kosovës do duhej të bënte presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

“Institucionet kosovare, e jo Vuçiqi do të duhej të ishin krah serbëve të Kosovës pas vrasjes së Ivanoviqit. Në vend se ata të vizitohen nga presidenti Thaçi, lejohet vizita e Vuçiqit, të cilën ai do ta shfrytëzojë për të përfituar politikisht”, tha në mes tjerash Mushkolaj

Megjithatë sipas Lulzim Pecit thotë se nuk pret që të ketë ndonjë efekt, pos një shok terapie në siç thotë ai, menaxhimin e politikës brenda serbe në Kosovë dhe asaj në Serbi.

Sipas tij, nëse Vuçiq tenton të përdorë fjalor nxitës gjatë kësaj vizite, do të ndikojë në vështirësinë e hetimeve, për shkak se do të frikonte dëshmitarët e mundshëm.

“Nëse gjatë kësaj vizite ai do të përdorë fjalor inflamator ndaj Kosovës, do të ndikohet në vështirësimin e hetimeve ndaj kryeseve të vrasjes së Ivanoviqit, për shkak të frikës së deklarimit të dëshmitarëve të mundshëm, pasi mos-zbulimi i kryeseve të kësaj vrasjeje mund të jetë në interesin e establishmentit të tanishëm ne Serbi”, tha Peci për KALLXO.com

Në orët e parë të mëngjesit të djeshme nga një atentat mbeti i vrarë Oliver Ivanoviq, ish deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i partisë serbe SDP.

http://kallxo.com/zyrtare-vdes-oliver-ivanoviq/

Policia e Kosovës ende është në kërkim të personave që e kanë bërë atentatin dhe kanë ofruar 10 mijë euro për këdo që jep informacione që ndihmojnë zbardhjen e rastit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar dje se Serbia ka kërkuar të marrë pjesë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë të Veriut dhe ka bërë të ditur se do të ketë një hetim paralel nga autoritetet serbe për këtë vrasje.

http://kallxo.com/serbia-hetim-paralel-per-vrasjen-e-oliver-ivanoviqit/