Vuçiq flet për 140 vjet mosmarrëveshje shqiptaro-serbe

Në Samitin e Sofjes Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq kur u pyet se deri kur do të arrihet marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, tha se nuk është person që kufizon ndonjë gjë.

Vuçiq, sipas televizionit publik serb, tregoi se mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe sipas tij ekzistojnë që nga Lidhja e Parë e Prizrenit, para më shumë se 140 vjetëve.

Nuk janë mosmarrëveshje 140 ditëshe, tha Vuçiq.

“Dëshiroj të besoj që Serbia do të ketë fuqi të mjaftueshme, nëse ka vullnet për kompromis në anën tjetër, që të arrijmë zgjidhjen për Kosovën që do të jetë e pranueshme për qytetarët tanë”, tha Vuçiq.

Ai më tutje u zotua se do të japë gjithçka nga vetja për këtë marrëveshje.

“Do të japim gjithçka nga vetja dhe do të luftojmë, ndërsa se a do të kemi sukses nuk varet vetëm nga ne”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se në Sofje ndërroi disa fjalë, gjest që e cilësoi të vullnetit të mirë.

“Jam i sigurt që duhet ta vazhdojmë dialogun”, porositi Vuçiq.

KALLXO.com shkroi për bërjen bashkë të Thaçit, Vuçiqit, Donald Tuskut e Johannes Hahnit, gjatë punimeve të Samitit në Sofje.