Aleksandar Vuçiq. Foto: Beta/Sasa Djordjevic.

Vuçiq e Lidh të Ardhmen e Serbisë me Raportin ndaj Kosovës

Aleksandar Vuçiq teksa iu drejtua sot kombit të tij nëpërmjet televizionit publik serb, deklaroi se e tashmja dhe e ardhmja e Serbisë lidhen me raportin e saj ndaj Kosovës.

“Në varësi nga raporti ndaj Kosovës do të kemi të tashme dhe të ardhme më të sigurt”, deklaroi Vuçiq.

Ai paralajmëroi vazhdimin e dialogut të brendshëm serb për Kosovën, duke ftuar t’i bashkohen atij të gjithë, ndërsa tregoi se ka marrë premtimin e Kryeministres Ana Brnabiq për të ndihmuar rreth takimeve të këtij dialogu.

Vuçiq gjatë adresimit të tij popullit serb e pranoi se që katër vjet në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë vrasje e serbëve për motive etnike, ndërsa këtë fakt ia la si meritë politikës së tij.

Presidenti serb e cilësoi kriminale pyetjen që iu bë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga Serbia kur ky shtet kontestoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Vetë i dhamë legjitimitet pavarësisë  me pyetjen kriminale që e bëmë në vitin 2009…, të cilën e bëri Vuk Jeremiq. Përgjigjja ishte e tmerrshme për ne”, tha Vuçiq.

Në vitin 2009 Serbia pati pyetur gjykatën se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në përputhshmëri me të drejtën ndërkombëtare.

Pas këtij zhvillimi në GjND, Vuçiq deklaroi se na u desh të luftonim nga fillimi për ekzistencë të serbëve në Kosovë.

“Dhe jo me armë dhe jo në atë mënyrë që të vdesin fëmijët e të tjerëve dhe ne të jemi patriotët më të mëdhenj”, deklaroi Vuçiq.

Ai tha se dialogu në Bruksel është shumë i vështirë dhe nuk ka asnjë kujtim të bukur prej tij.

“A mendon dikush prej jush se jam ndier mirë derisa ulem me Hashimin [Thaçin], Mogherinin, Ashton-in… Kurrë, asnjë çast të lumtur nuk e kujtoj. Nuk është punë imja të më jetë lehtë e bukur, kështu që mos i dëgjoni ata që duan t’u thonë se do të jetë lehtë e bukur”, tha Vuçiq.

Ai duke folur për hyrjen e Listës Serbe në Qeverinë Haradinaj, tregoi opsionet tjera që kishte ky subjekt politik.

Vuçiq lexoi pjesën e programit të Vetëvendosjes ku thuhet se ky subjekt angazhohet për bashkim me Shqipërinë.

Për ta argumentuar se Lista Serbe veproi drejt kur hyri në Qeverinë Haradinaj, Vuçiq citoi postime të Albin Kurtit e Isa Mustafës, të cilët në to konstatuan se kjo qeveri varet nga Beogradi.

ai shfaqi edhe një karikaturë që tha se është e mediumit më të lexuar në Kosovë, të cilën e komento me fjalët se të gjithë ia puthin dorën Listës Serbe.

Vuçiq deklaroi se më herët gati që s’kemi pasur politikë ndaj Kosovës, gati që nuk kemi dhënë llogari, ndërsa deklaroi se do t’ua japë gazetarëve raportin e katër vjetëve të dialogut në Bruksel duke thënë se asgjë nuk do të mbetet e mbuluar nga fshehtësia.