Qytetarët duke e dëgjuar Vuçiqin nga zmadhuesit | Foto: KALLXO.com

Vuçiq Bisedon me Qytetarët në Llapnasellë

Presidenti i Serbisë vazhdon të qëndrojë në fshatin Lapnasellë duke diskutuar me qytetarët serbë që kanë ardhur nga të gjitha trevat e Kosovës.

Ai po pranon pyetje të ndryshme nga qytetarët. Nga kërkesa për pagesën e socialit, ndërtimin e çerdheve, deri te hapja e vendeve të punës.

Drejtoresha e një shkolle fillore të Kamenicës kërkoi nga Vuçiq ndërtimin e një çerdheje dhe një kuzhine për nxënësit.

Aleksandër Vuçiq, pas konsultave me Marko Gjuriqin tha se gjatë vitit 2018 do të ndahen ndihma sociale për 1,000 familje në Kosovë.

Presidenti Vuçiq ka shprehur gatishmërinë për t’i riparuar rrugët e fshatrave në të cilat jetojnë serbët, pasi siç ka thënë nëse një gjë e tillë i lejohet nga Prishtina.

Një arsimtar nga Gora iu ankua Vuçiqit se nuk po kanë as kushte për mësim, se shumica e njerëzve janë të papunë, ndërsa e ftoi të vizitojë edh Gorën.

Një qytetar tjetër i ka kërkuar Vuçiqit të ndalohet shitja e pronave të serbëve në Kosovë.

Vuçiq në përgjigjen e tij ka përmendur me emra vendbanime serbësh në Kosovë, ndërsa ka folur edhe për Fushë-Kosovën ku ka thënë se nuk ka asnjë pronë serbe.

Vuçiq ka përmendur edhe fshatin Bresje në Fushë-Kosovë.

“Dikur serbët përbënin 70 për qind të qytetarëve, ndërsa sot janë 10-15 përqind”, tha Vuçiq.

Ai tha se nuk mund të ndalen të gjitha shitjet e pronave.

“Nuk kemi mundësi t’i ndalim të gjitha shitjet, por është e vërtetë që tash jemi duke humb më pak se sa para 10 apo 20 vjetëve”,tha Vuçiq.

Para se të hynte në sallën ku po bisedon me të tubuarit në Llapnasellë, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq falënderoi të pranishmit për ardhjen si tha “në këtë kiamet”.

“Ju falënderoj shumë se ruani vatrat tuaja, që ruani e mbroni emrat dhe mbiemrat tuaj serbë”, tha Vuçiq.

Ai edhe në Llapnasellë e përmendi vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Në këto çaste të këqija pas vrasjes së pabesë dhe kriminale të Oliver Ivanoviqit çdoherë jemi munduar të jemi me ju, t’u themi se nuk jeni vetëm”, tha Vuçiq.

Pastaj të tubuarit filluan t’i shtrojnë pyetje Vuçiqit. Një arsimtar nga Gora iu ankua Vuçiqit se nuk po kanë as kushte për mësim, se shumica e njerëzve janë të papunë, ndërsa e ftoi të vizitojë edh Gorën.

Një numër i madh njerëzish fjalët e Vuçiqit i dëgjuan nga zmadhuesit jashtë sallës.