Vuçiç dhe Rama Ballafaqohen në Duel Televiziv

Audienca në gjithë Ballkanin do të kenë mundësinë të shohin liderët e Serbisë dhe Shqipërisë duke zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre live në gusht.

Dueli televiziv në Vjenë mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit ndodh pas një serie grindjesh publike mes dy kryeministrave.

Grindjet e fundit ishin për një raport të keqinterpretuar të një interviste televizive të Ramës dhe vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për t’i dhuruar Shqipërisë pikët e një loje futbolli të braktisur në Beograd.

Programi do të xhirohet në një studio në Vjenë gjatë Konferencës së Dytë për Ballkanin Perëndimor. Sekretari gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanovic, gjithashtu do të marrë pjesë në debat.

Programi nga produksioni televiziv rajonal “Okruzenje” (“Rrethinat”) do të transmetohet në të njëjtën kohë në pesë shtete, në 11 kanale kombëtare dhe një numër kanalesh lokale, në Lubjanë, Zagreb, Sarajevë, Banjallukë, Podgoricë, Tiranë, Prishtinë, dhe Beograd.

“Ky program televiziv do të jetë një mundësi e mirë për të shprehur haptazi interesat tona të përbashkëta dhe problemet që i dëmtojnë këto interesa,” tha në një deklaratë kanali serb RTS.

Vuçiç dhe Rama tashmë kanë pasur grindje një-me-një në publik, shumica e tyre në rrjetin social Twitter.

Pas një raportimi të keqinterpretuar të një interviste të kryeministrit shqiptar, Vuçiç tha në Twitter që ai nuk do të lejojë asnjëherë që Shqipëria dhe Kosova të bëhen një shtet.

Ky postim erdhi pasi që mediet serbe raportuan që Rama kishte thënë që nëse BE kishte dështuar lejimin e dy shteteve të bashkohen në një Evropë pa kufij, atëherë ata do të bashkohen “në mënyrën klasike”.

Tensionet mes dy vendeve u rritën gjatë dhe pas ndeshjes kualifikuese për Euro 2016 Shqipëri-Serbi në tetor 2014.

Ndeshja u anulua pasi që shpërthyen përleshje kur një dron fluturoi mbi stadium me një hartë të Shqipërisë së Madhe.

Debati i fundit mes dy kryeministrave ballkanas filloi pasi që lideri shqiptar e lavdëroi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për t’ia dhuruar Shqipërisë pikët e ndeshjes së braktisur në Beograd.