Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Vritet një Person në Mitrovicë

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zyrtari për Informim i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Sipas informacioneve fillestare që kam, incidenti ka ndodhur para 45 minutave në Rrugën e UÇK-së në Mitrovicë ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person tashmë i konfirmuar nga mjeku ka mbetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes”, deklaroi Zahiti.

Ai tha se nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje, ndërsa tregoi se Policia e Kosovës është duke u munduar të identifikojë personat e dyshuar të këtij rasti.

“Nuk dihet motivi dhe është duke u punuar drejt identifikimit të të dyshuarve dhe ende nuk mund te jap diçka më shumë”, tha Zahiti.

Zyrtari i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, tregoi se ngjarja ka ndodhur në afërsi të gjimnazit “Frang Bardhi” të këtij qyteti, por nuk dha detaje nëse i vrari është nxënës i kësaj shkolle.

“Në afërsi të shkollës ka ndodhur, por jashtë hapësirave të saja. Sa i përket viktimës nuk mund ta konfirmoj tash për tash sepse është çështje e procesit në rrjedhje të mëtutjeshme  se si do të zhvillohet në vend të ngjarjes,” pohoi Zahiti.