Foto-ilustrim

Një i Vrarë, Një i Plagosur në Pejë

Drejtori Skender Dreshaj tha për KALLXO.com se para pak çastesh, në spital janë sjellë dy persona, nga të cilët njëri ka qenë pa shenja jete, përderisa një i dytë është i plagosur.

Sipas tij, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.

KALLXO.com ka provuar të marrë një informatë nga policia rreth këtij incidenti, por zyrtarët e saj nuk kanë qenë të qasshëm për një koment të menjëhershëm.

E plotësuar me deklaratën e policisë

13:47

Policia konfirmoi se sot rreth orës 12:10 në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë ka ndodhur një gjuajtje me armë zjarri, me ç’rast janë plagosur dy persona me inicialet  I.N dhe B.N.

Policia tha gjithashtu se njëri nga të dyshuarit për këtë rast është arrestuar ndërsa një tjetër është ende në kërkim.

“Njësitet relevante të PK-së, pas marrjes se informacionit menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për të siguruar prova dhe dëshmi dhe për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, dhe lidhur me këtë menjëherë është informuar prokurori i shtetit”, thuhet në komunikatën e policisë rajonale në Pejë.

Policia thotë se viktimat janë dërguar në urgjencën e Spitalit rajonal në Pejë për t’u ofruar ndihmë mjekësore.

“Viktima I.N. nga plagët e marra ka ndërruar jetë rreth orës 12:50, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërsa viktima B.N është i plagosur në dorë dhe gjendja e tij për momentin sipas ekipit mjekësor është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në komunikatë.