Pamje nga seanca e sotme e gjykimit për vrasje - FotoL KALLXO.com

Vrasja në Pejë, Refuzohet Kërkesa për Hedhjen e Aktakuzës

Gjykata e Pejës ka refuzuar kërkesën e avokatëve të të akuzuarve Hamza e Isuf Abazaj për hedhje të aktakuzës.

Në këtë rast gjyqësor, babë e bir, Isuf e Hamza Abazaj, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Pejës për vrasje të rëndë, plagosje dhe ndihmë për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë.

Hamza Abazaj, i biri i Isufit, akuzohet për vrasjen e Ibrahim Nezirit dhe plagosjen e Bleart Nezirajt, përderisa babai i tij, Isufi, akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në seancën e shqyrtimit të dytë fillestar, avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve kërkuan hedhjen e aktakuzës.

Muharrem Hoti, avokat i Hamza Abazajt, kërkesën për hedhjen e aktakuzës e kishte parashtruar me shkrim tek gjyqtari i rastit, Sali Berisha.

Arsyetimi i tij ishte se ka prova për ekzistimin e rrethanave që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të tëpandehurit.

Ai u thirr në ekspertizën psikiatrike të bërë ndaj të mbrojturi të tij, ku tha së konstatohet se ka pasur dhe ende ka probleme psikike.

Arsyetimi i avokatit Hoti ishte se i mbrojturi i tij kishte pasur 70 herë vizita mjekësore në shtetin suedez nga viti 2014 deri vitin 2017.

Në arsyetimin e kërkesës për hedhjen e aktakuzës, avokati Hoti tha së në ekspertizë konstatohet se i pandehuri Hamza Abazaj veprën penale e ka kryer në gjendje të afektit dhe nuk ka gjykuar drejtë për rëndësinë e veprës se kryer, duke mos mundur t’i kontrollojë veprimet e tij.

Kurse, avokati i Isuf Abazajt, Gëzim Kollçaku, përveç kërkesës për hedhjen e aktakuzës ka bërë edhe kundërshtimin  e provave.

Kollçaku tha se Prokuroria nuk është bazuar në asnjë provë se i mbrojturi i tij ka fshehur provat e kryerjes se veprës penale.

Sipas avokatit, raporti i policit hetues dëshmon se Isuf Abazaj nuk e ka kryer veprën penale për çka akuzohet nga Prokuroria.

Avokati lexoi edhe tre rreshta të raportit policor për të cilat tha se dëshmojnë pafajësinë e të mbrojturit të tij dhe të kundërtën e pretendimeve të Prokurorisë.

“Si keni filluar me biseduar rreth incidentit, ai e ka nxjerr nga xhepi një revole me ngjyrë të zezë dhe na ka thënë: Kjo është revolja që ka gjuajtur djali im Hamza në të, se ai ma ka dhënë mua pasi që ka ndodhë incidenti”, lexoi avokati Kollçaku tre rreshtat e raportit policor.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, tha së kërkesat e avokatëve mbrojtës për hedhjen e aktakuzës janë të pabazuara.

Pretendimet e avokatit Muharrem Hoti, prokurorja i quajti keqinterpretim të ekspertizës psikiatrike të bërë ndaj të akuzuarit Hamza Abazaj.

“Në mënyrë të skajshme po e keqinterpreton ekspertizën psikiatrike të kryer nga Forenzika Psikiatrike në Prishtinë, të cilën mundet me interpretuar vetëm eksperti që e ka kryer këtë ekspertizë. Askund në ketë ekspertizë, përkundër përshkrimit emocional të të njëjtit nuk thuhet se i akuzuari Hamzë është i papërgjegjshëm. Dua të shtoj se nga të gjitha dokumentacionet mjekësore tjera, por edhe nga kjo ekspertizë gjendja e varësisë nga substancat narkotike apo alkoooli nuk paraqet apo nuk e përjashton përgjegjësinë penale”, tha prokurorja.

Duke iu përgjigjur pretendimeve të avokatit Gëzim Kollçaku që mbron të akuzuarin Isuf Abazaj, prokurorja Gashi tha se aktakuza është e bazuar mbi të gjitha provat.

Ajo tha së i akuzuari Isuf Abazaj e ka marrë armën e Hamza Abazajt dhe për orë të tërë ka qenë i pakapshëm nga organet e ndjekjes.

Më pas, gjyqtari i rastit, Sali Berisha, mori aktvendim për refuzimin e kërkesave të mbrojtës për hedhjen e aktakuzës.

Kurse avokatët e të akuzuarve paralajmëruan se do ushtrojnë ankesë ndaj këtij aktvendimi.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, Hamza Abazaj u deklarua i pafajshëm në lidhje me vrasjen, teksa pranoi fajësinë për mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armëve, ndërsa Isuf Abazaj u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës me të cilat po ngarkohet.

http://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-te-akuzuarit-per-vrasjen-ne-peje/

Sipas Pprokurorisë, i pandehuri Hamza Abazaj akuzohet për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, përderisa Isuf Abazaj akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Hamza Abazaj më 24 shkurt 2017 rreth orës 12:00 në Pejë me dashje privoi nga jeta të ndjerin I.N. dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit B.N.

Aktakuza përshkruan se pas një mosmarrëveshjeje në mes të të lartcekurve, i pandehuri ka nxjerrë një revole nga çanta e tij me të cilën ka shtënë në drejtim të të ndjerit dhe të dëmtuarit.

I pandehuri tjetër Isuf Abazaj akuzohet se në vendin dhe kohën e përshkruar më lart, me dashje ka fshehur provat me të cilat është kryer vepra penale, ndërsa ngarkohet edhe për pjesëmarrje në rrahjen që përfundoi me vrasje dhe plagosje.

Seanca e shqyrtimit fillestar disa herë ishte shtyrë për shkak se i akuzuari, Hamza Abazaj kërkonte përkthyes të gjuhës suedeze me arsyetimin se nuk e njeh mirë shqipen juridike.

http://kallxo.com/mungesa-e-perkthyesit-nga-suedishtja-shtyn-serish-gjykimin-per-vrasje/

Pas shtyrjes se disa seancave në mungesë të përkthyesit, i akuzuari Hamza Abazaj hoqi dorë nga kërkesa e përkthyesit.

http://kallxo.com/arrestohen-dyshuari-dyte-per-vrasjen-ne-peje/

KALLXO.com kishte raportuar në vazhdimësi rreth kësaj vrasjeje dhe plagosjes që kishte ndodhur me 24 shkurt të këtij viti në Pejë.

http://kallxo.com/vrasja-ne-peje-video-nga-vendi-ngjarjes/4/

Po ashtu, KALLXO.com ofroi pamje nga vendi i ngjarjes.