Gjykimi për vrasjen e rreshterit policor Shemsi Gashi - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Oficerit të Policisë, Jepet Fjala Përfundimtare

Në gjykimin për vrasjen e rreshterit policor, Shemsi Gashi, ku të akuzuar janë tetë persona, është dhënë fjala pëfundimtare.

Bashkëshortja e viktimës, Ilmije Gashi, në fjalën e saj përfundimtare parashtroi kërkesë pasurore- juridike për kompenzim të dëmit ndonëse tha se asgjë nuk e kompenzon vdekjen e bashkëshortit të saj.

“Shpresoj se Gjykata do t’u japë të akuzuarve dënimin e merituar. Gjithashtu, parashtroj kërkesë pasurore juridike edhe pse nuk ka çmim që paguhet me vdekjen e Shemit”, tha Ilmije Gashi, e cila është palë e dëmtuar në këtë proces gjyqësor.

Përfaqësuesi nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, Arlind Popaj, po ashtu kërkoi nga trupi gjykues në krye me gjykatësen Valbona Musliu- Selimaj që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, Popaj dhe e dëmtuara Gashi thanë se mbeten pranë fjalës përfundimtare të prokurorit Armend Hamiti, ashtu që kërkuan që Gjykata t’i shpallë fajtorë të akuzuarit.

Më tej, me fjalën përfundimtare vazhduan edhe avokatët mbrojtës.

E seanca u shoqërua edhe me tone të larta.

Pati fjalosje mes vëllait të viktimës, Shefqet Gashit dhe avokatit të të akuzuarit Ramadan Gashi, Bajram Tmava, në momentin kur ky i fundit po elaboronte fjalën përfundimtare.

Si rezultat, Shefqet Gashi u urdhërua që ta lështonte sallën.

http://kallxo.com/deshmitari-rreshterit-cuan-fjale-se-nuk-ta-gezoje-token/

Para kësaj, avokati Tmava tha se gjatë tërë rrjedhës së procesit gjyqësor, është ndjerë sikur i gjithë shteti ka qenë kundër të akuzuarve.

“Viktima, tani i ndjeri Shemsi Gashi, ka qenë pjesëtarë i Policisë të Republikës së Kosovës dhe që nga fillimi e deri në momentin kur është dhënë fjala përfundimtare nga ana e prokurorit, përshtypja ime ka qenë që tërë shtetin e kemi pasë pas, kundër, me arsye dhe pa arsye”, tha Tmava.

E avokati i të akuzuarit Mujë Gashi, nisi fjalën përfundimtare duke i shprehur keqardhje bashkëshortes së të ndjerit për atë se çfarë ka përjetuar.

“Ky dështim (akuza) nuk është rezultat i paaftësisë së prokurorit, por i faktit që nuk mund të provohet diçka që s’është e vërtetë”, shtoi Gashi.

Meqenëse i mbrojturi i tij, Mujë Gashi, ka pranuar fajësinë për mbajtjen në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, avokati Gashi kërkoi që t’i merret si rrethanë lehtësuese pranimi i fajësisë, derisa për veprën penale shtytja në vrasje të tani të ndjerit Shemsi Gashi të nxjerrë aktgjykim lirues.

Njëjtë u shpreh edhe vetë i akuzuari Mujë Gashi.

“E përkrah fjalën e mbrojtësit dhe deklaroj se nuk e ndjej veten fajtor për veprën penale shtytja në vrasje, ndersa për mbajtje në pronësi kontroll apo posedim te paautorizuar të armëve, e kam pranuar, ato kanë qenë të miat dhe pres nga gjykata vetëm drejtësi”, tha ai.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Rreshteri Shemsi Gashi u vra mëngjesin e 25 marsit 2015 rrugës për në zyrën e tij.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

http://kallxo.com/pranon-fajesine-per-vrasje-te-rreshterit/

Gashi u vra në lagjen “Mati” të Prishtinës.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Vesel Gjinovci, njëri nga të akuzuarit në një nga seancat e kaluara e ka pranuar fajësinë për këtë vrasje si dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.