Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Vota të Barabarta- Hyn në Asamble i Rendituri më Lart në Listën e Partisë

Rëndësia e numrit rendor në listën e kandidatëve për asamble po del të jetë shumë e rëndësishme në Komunën e Kamenicës.

Dy kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Shefik Kastrati dhe Blerim Murina kanë marrë numër të njëjtë të votave në zgjedhjet e 22 tetorit, nga 195 vota secili. Por pas rezultateve zyrtare vetëm Shefik Kastrati ka arritur të marrë ulëse në asamblene komunale të Kamenicës.

Një vendim i KQZ-së, të cilin e ka siguruar KALLXO.com e që është nxjerrë me datën 8 të këitj muaji thotë që ulësen e asamblistit e fiton kandidati që është i renditur më lartë në listën e certifikuar.

“Nëse kandidatët brenda një subjekti politik kanë numër të barabartë të votave, atëherë mandatin do ta fitojë kandidati me numër rendor më të lartë i renditur, në bazë të listës së certifikuar”, thuhet në pikën 2 të këtij vendimi.

Asamblisti i zgjedhur, Shefik Kastrati në listën zgjedhore të kandidatëve për asamble komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kishte pasur numrin rendor në listë 4, ndërsa kandidati tjetër, Blerim Murina që mori numër të njëjtë të votave kishte qenë i renditur si i nënti.

Në Komunën e Kamenicës, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 6 asamblistë. I katërti në renditje është kandidati Shefik Kastrati, ndërsa pas tij vijnë edhe 2 asambliste tjera që kanë pasur më pak vota se kandidati Blerim Murina e Shefik Kastrati, por që kuota gjinore i ka futur brenda Kuvendit Komunal.

Në balotazhin e 19 nëntorit qytetarët e Kamenicës do të zgjedhin mes Qendron Kastratit të Vetëvendosjes dhe Shaip Surdullit të LDK-së.