Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Vonesat e Gjykatës i Shpëtojnë të Akuzuarit nga Përgjegjësia

Sipas prokurorisë, vëllezërit Mavriqi u përleshën me Shaqir Shalën dhe të dëmtuarin Ismajl Berisha në një konflikt i cili për motiv kishte  lëshimin e rrugës për kalimin e automjeteve.

Rrahja në mes vëllezërve dhe dy të tjerëve është përshkruar detajisht në aktakuzën e Prokurorisë.

Sipas të njëjtës, Arben Mavriqi i pajisur me një pushkë gjuetie dhe një revole kishte shtënë në ajër ndërsa gjatë përleshjes pushka e tij e gjuetisë kishte përfunduar në duart e Shaqir Shalës, i cili e përdori të njëjtën për ta goditur Remzush Mavriqin.

Ky i fundit, siç përshkruhet në aktakuzë, me një tërfurk të plehut e kishte goditur Shaqirin.

Gjatë përleshjes Arbeni me kondakun e revoles kishte goditur Ismajl Berishën, të cilit i kishte shkaktuar lëndime.

Trupi gjykues i Gjykatës së Prishtinës të premten ka konfirmuar se për tërë këtë ngjarje mund ta sjellë para përgjegjësisë vetëm të akuzuarin Arben Mavriqi për shkak se për tre të akuzuarit e tjerë Remzush Mavriqi, Bajram Mavriqi dhe Shaqir Shala veprat penale janë parashkruar për shkak se nuk janë gjykuar me kohë e po ashtu njëra nga veprat është përfshirë në Ligjin për Amnistinë.