Kuvendi i Maqedonisë së Veriut - Foto: Rtv21

VMRO-DPMNE Kthehet në Kuvendin e Maqedonisë

Pas pesë muajsh jashtë Parlamentit, opozita u kthye në bankat e Kuvendit të Maqedonisë.

Sot është dita e tyre, sepse pas nismës që e kanë ngritur do të votohet edhe mosbesimi i Qeverisë.

Ata thonë se ka shumë argumente përse kjo Qeveri, sipas tyre është më e paaftë dhe më kriminale në historinë e Maqedonisë.

Interpelancën e arsyetoi koordinatori i grupit parlamentar, Dragan Danev, i cili konsideron se Qeveria e Zaevit nuk ka kapacitet për t’i udhëhequr institucionet.

Ai thotë se Qeveria në vend që t’i zgjidhë problemet e qytetarëve, punon për interesa personalë dhe partiake.

“Sonte kur do të parashtrohet pyetja për besimin e Qeverisë, para tyre t’i kenë interesat e vendeve fqinje të tyre, të familjarëve, miqve dhe interesat e të gjithë tjerët që nuk i njohin – dhe ata janë qytetarët e Republikës së Maqedonisë dhe t’i thonë JO qeverisjes së këtillë. Gjatë shtypjes së butonit të gjelbër dhe të kuqe të mos udhëhiqen sipas interesave të tyre personale apo partiake”, tha Dragan Danev, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Pas fjalimit hyrës të Danevit, në foltore doli edhe koordinatori i LSDM-së, Tomisllav Tunev.

Ai thotë se është mirë të shihet se Kuvendi është i plotë, por konsideron se interpelanca është vetëm arsyeja e VMRO-DPMNE-së për t’u kthyer në Kuvend.

“Është dëshpërues fakti që opozita e  ka zgjedhur këtë mënyrë për t’u kthyer në Kuvend në “derë të madhe”. A është kjo dera e madhe? Ne menduam se opozita do të kthehet që të diskutojmë dhe të debatojmë për atë që Republika e Maqedonisë e ka marrë përsipër si obligim, për pakon e ligjeve reformuese, me këto gjëra  të merremi sot këtu”, u shpreh Tuntev.

Një prej arsyeve pse opozita e kërkon interpelancën për Qeverinë, është edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve.

Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, nga foltorja foli në gjuhën maqedonase.

Ai e lavdëroi Zaevin dhe e ftoi të vazhdojë të zhvillojë marrëdhënie të mira me vendet fqinje, që janë vlerësuar pozitivisht në Uashington dhe Bruksel.

“Zotëri kryeministër, vazhdoni që anëtarëve të kabinetit tuaj, kohë pas kohe t’u paralajmëroni rikonstruim. Askush në këto pozita që na i jep populli, nuk është i përhershëm”, tha Ademi.

Deputeti i Aleancës për shqiptarët, Syrija Rashidi, thotë se ka mjaft arsye për ta kritikuar punën e pushtetit aktual, që e ka bërë në periudhën e kaluar.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale, Qeveria ka „ndërhyrë” në bllokun politik shqiptar, kurse kryeministri Zaev, në kundërshtim me rekomandimet e Pribe-s, publikisht ka ftuar që të përkrahen kandidatë të caktuar për kryetarë komunash.

“Nga Çairi, Tetova, Gostivari dhe Struga u foli qytetarëve, nëse votoni për këta kandidatë të cilët unë i rekomandoj, do t’i keni investimet e ardhshme nga Qeveria, që do të thotë se në qoftë se nuk i përkrahni këta kandidatë, nuk do të fitoni asgjë”, u shpreh Syrija Rashidi, deputet i Aleancës për Shqiptarët.

Informacionet tregojnë se partia opozitare VMRO-DPMNE nuk  ka shumicën e nevojshme nga 61 deputetë që të kalojë interpelanca.

Dje, Lëvizja Besa tha publikisht se nuk do ta përkrahë iniciativën e VMRO-DPMNE-së, por thanë se arsyeja për këtë nuk janë bisedimet me kryeministrin Zaev./21Media