Gjykimi në rastin e fajdeve në Prizren. Foto: Kallxo.com

Vlerësohet Pasuria e Kqirajve në Gjykimin për Fajde

Dy ekspertë financiarë- Vehbi Imeri e Riza Blakaj vlerësuan pasurinë e 14 të akuzuarve për krim të organizuar, fajde dhe vepra tjera, pasi prokuroria kishte kërkuar plotësimin e ekspertizës së tyre.

Nga prokuroria ishte kërkuar edhe përcaktimi i vlerës së bodrumeve të objekteve, nënkulmeve, interierit të brendshëm dhe pjesëve tjera të cilave nuk u është bërë vlerësimi.

Në seancën e kaluar eksperti Imeri dhe avokati i Benson Buzës nuk ishin pajtuar me vlerësimin që i ishte bërë shtëpisë së këtij të fundit.

Në seancën e djeshme ekspertët deklaruan se gjatë vlerësimit të pasurisë së 14 të akuzuarve për fajde kanë gjetur miliona euro pa prejardhje të identifikuar.

Eksperti Imeri kishte ardhur në përfundimin se vlera e përgjithshme e bodrumit, dhomave të motelit dhe kafiterisë së Tunë Kqirës është 95.177 euro, si dhe enterieri i shtëpisë me vlerë 71.300 euro, ndërsa të gjitha këto së bashku u vlerësuan në shumën 166.477 euro.

Pjesë tjetër e vlerësimit ishin  edhe Hotel “Paradiso”,restoranti dhe vila në fshatin Simanovë, prona të të akuzuarit Gjon Kqira.

Eksperti tha se sipas përshkrimeve që i kishin bërë për këto objekte vlera e interierit është vlerësuar me një çmim  të përafërt 62.500 euro.

Eksperti Imeri u pyet pastaj nga i akuzuari Marjan Kqira se pse e kishte bërë vlerësimin e pasurisë nga viti 2010 deri në vitin 2015, duke treguar se ai biznesin e kishte hapur në vitin 1990.

Eksperti financiar Vehbi Imeri tha se nga Administrata Tatimore e Kosovës nuk kanë mundur të dhëna për periudhën më të vjetër se gjashtë vjet, pasi për këtë gjë ka kufizime ligjore.

Prokurorja pastaj i propozoi gjykatës që të ftojë për dëshmi policët hetues të rastit për të sqaruar pse dëshmitarët po ndërrojnë deklaratat.

Por trupi gjykues e refuzoi kërkesën e prokurores me arsyetimin se ajo është e paqartë, ndërsa tregoi se dëshmitarëve u është tërhequr vërejtja për ndryshim deklaratash.

Sipas prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për këtë proces gjyqësor.