Vlerësohet Kontributi i Nessel dhënë Policisë

Adrian Nessel, Kreu i Departamentit të Bashkëpunimit në Çështjet e Sigurisë në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri është dekoruar me Certifikatë për Shërbime të Dalluara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në shenjë mirënjohjeje personale dhe të institucionit, për kontributin e jashtëzakonshëm të Nessel dhënë në rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe policimit në Shqipëri si dhe për asistencën mjaft të vyer në forcimin e kapaciteteve, në përmirësimin e legjislacionit, i ka ndarë “Certifikatë për Shërbime të Dalluara” Adrian Nessel, me motivacionin:

“Për kontribut të çmuar dhe asistencën e dhënë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe logjistike të strukturave të Policisë së Shtetit, përmirësimin e legjislacionit, rritjen e bashkëpunimit me agjencitë partnere ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin me sukses të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe përafrimin me standardet evropiane të policimit”, thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.

Ndërkohë gjatë ceremonisë, kreu i Departamentit të Bashkëpunimit në Çështjet e Sigurisë në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri Adrian Nessel ka dhuruar Certifikatë për drejtues Gentian Mullaj, në shenjë vlerësimi për punën dhe kontributin e tij në procesin zgjedhor .

Nessel, ka shprehur falënderimet e tij për këtë vlerësim nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për Policinë e Shtetit si institucion dhe të gjithë kolegët më të cilët ka bashkëpunuar gjatë këtyre 6 viteve, duke theksuar përpjekjet e përbashkëta për të bërë gjëra të mira dhe për ta bërë jetën e qytetarëve Shqiptarë më të sigurt.

“Drejtor i Përgjithshëm, miq, kolegë! Siç e thatë, në 6 vite kanë ndodhur shumë gjëra. Me shumë prej njerëzve që janë këtu, unë kam punuar gjatë këtyre viteve. Të gjithë ne jemi përpjekur për të bërë gjëra të mira dhe ta bëjmë jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt”, ka deklaruar Nessel.