Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme I Foto: Kallxo.com

‘Vjetrohet’ Vjedhja e Dëshmive në Polici

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, tha sot se rasti i vjedhjes së dëshmive në një dhomë të sigurisë së lartë në Policinë e Kosovës, disa vjet më parë është vjetruar, duke lënë të kuptohet se rasti është parashkruar.

Imazhi i policisë qe goditur rëndë në vitin 2009 kur u dha lajmi se një sasi e madhe e drogës qe vjedhur në dhomën e dëshmive.

Shtatë vjet më vonë, ministri i Punëve të Brendshme u përball në Kuvendin e Kosovës me një pyetje të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi për këtë rast dhe për rastin e dytë të vjedhjes së arit në stacionin e policisë në Pejë.

“Në momentin qe do të paraqiten prova të reja, policia e prokuroria duhet të mirren me këtë rast, pavarësisht që i ka kalu EULEX-it si lëndë, e për shkak të afateve ligjore, për fat të keq është vjetëruar”, tha Ministri Hyseni.

Duke folur për rastin e dytë të vjedhjes së arit në Pejë, Hyseni tha se rasti është duke u hetuar.

“Inspektorati Policor ka ngritur kallëzim penal, e lidhur me këtë rast janë pataqitur dëshmi të reja. Janë duke u marrë me këtë rast”, tha Hyseni.