Foto-ilustrim | Foto: KALLXO.com

‘Vjeshta’ e Policisë Mbyll Katër Lokale

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e ndihmuar nga njësitë tjera policore ka realizuar operacionin policor të koduar me emrin “Vjeshta 2017”.

Sipas komunikatës së policisë, gjatë këtij aksioni janë kryer kontrolle në 30 lokacione, janë mbyllur katër lokale, ndërsa janë arrestuar pesë persona.

Gjatë aksionit janë konfiskuar “2 revole të tipit TT, tre (3) karikatorë, (16) copë municione, (3) thika ushtarake dhe (1) qese e vogël me narkotikë e dyshuar e llojit marijuanë.

Policia nëpër lokalet ku kreu kontrollet legjitimoi edhe 212 gra- 123 shtetase të Shqipërisë, 86 të Kosovës, 2 të Maqedonisë dhe 1 të malit të Zi.

“Të gjitha shtetaset e huaja  në mungesë të  paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, do të trajtohen nga Drejtoria e Migrimit e PK-së, e cila  është në proces të administrimit të lëndëve në fjalë”, thuet në komunikatën e policisë.

Aksioni u zhvillua në bashkëpunim dhe koordinim edhe me prokurorët kompetentë, ATK-në, Inspektoratin e Punës dhe Inspektoratin Sanitar të niveleve lokale.

Inspektorët në lokacionet e kontrolluara shqiptuan gjoba për mungesë të arkave  fiskale dhe dokumenteve të  punës.