Vjen reagimi i Komunës së Deçanit pas kërkesës së Kishës serbe

Lidhur me reagimet e kishës serbe, ka reaguar Komuna e Deçanit.

Në reagimin e komunës thuhet se mashtrimet e  personelit të kishës ortodokse serbe  janë të tepruara dashakeqëse dhe anti- njerëzorë

“Me 24 prill punimet në rrugën  Deçan Bjeshka e Belegut- Kufiri më Malin e Zi kanë filluar jashtë zonës së veçantë të mbrojtur. Me ketë rast Komuna e Deçanit dhe Ministria e Infrastrukturës janë garantues që ky projekt do të vazhdoi jashtë zonës së mbrojtur deri sa të arrihet  një vendim nga KZM (Këshilli për Zbatim dhe Monitorim) , ku përfaqësues  në ketë këshill për absurditetin e kohës janë pesë institucione duke përfshirë  Manastirin e Deçanit e  që Komuna e Deçanit nuk është njëra nga to”, thuhet në reagimin e komunës së Deçanit.

Më tej në reagim thuhet se gjatë ditës së djeshme kompania e cila po i kryen punimet jashtë zonës së veçante, ka hequr nga rruga brenda zonës së veçante gurët nga rrëshqitja e dheut të cilat kanë ndodhë si pasoj e ndërtimit të hidrocentraleve në zonën e veçante më pëlqimin e Manastirit që sipas Ligjit është aktivitet strikt i ndaluar.

“Rrëshqitjet dhe gurët janë larguar më qellim që kjo rrugë të jetë e kalueshme dhe e sigurt për kompaninë dhe qytetarët e shumtë që kalojnë përgjatë kësaj  rruge. Ky aktivitet human dhe i domosdoshëm po del që personeli i Manastirit ka pritur një rast për të bërë mashtrimin e radhës. Objektivat e ndërtimit të kësaj rruge janë: paqësore, në harmoni me qëllimin e Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura, në përputhje me kuadrin vizual dhe estetik të zonës, në harmoni me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, arkeologjike, arkitektonike dhe në funksion të ruajtjes dhe të promovimit të trashëgimisë natyrore. Ky aktivitet i renovimit-asfaltimit të rrugës ekzistuese është zhvillim i favorshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet në reagim.

Komuna e Deçanit në njoftimin e lëshuar thotë se: “Qytetarët e Deçanit edhe sot edhe në kohë të më hershme kanë bashkëjetuar duke respektuar mozaikun e trashëgimisë kulturore fetare, gjë e cila nuk ka ndodhur në të gjitha periudhat historike nga Manastiri kundrejt qytetarëve shqiptar të Deçanit. Koncepti  i vetëm i cili udhëheqë qytetarët e komunës së Deçanit është koncept zhvillimor dhe i  shfrytëzimit  të potencialeve dhe resurseve,  qasjes më të letë në to për të pasur një standard më të mirë për jetën dhe për familjet tona”.

Sipas asaj që thuhet në reagimin e lëshuar nga ana e komunës së Deçanit, ky është dhe do të jetë qëllimi ynë i vetëm pa mashtruar të tjerët.

“Në ketë rast personeli i Manastirit bën mirë të jetë së bashku me konceptin tonë dhe t`i lër anash qëllimet dashakeqëse kundrejt 70 mijë qytetareve të komunës së Deçanit. Sa i përket pronave të dhuruara nga shteti gjenocidial serb i udhëhequr nga Sllobodan Millosheviq në vitin 1994-1997, e të cilat ju dhanë edhe me vendimin  të Gjykatës Kushtetuese të Republikë së Kosovës, vlerësojmë se Manastiri i Deçanit është dashur këtë pronë ta kërkoi vetëm nga qytetarët e Komunës së Deçanit. Për një jemi të sigurt, se qytetarët e Komunë së Deçanit asnjëherë nuk janë udhëhequr nga idetë shoviniste dhe të nxitjes së luftërave, kjo është e dëshmuar sot e gjithë ditën”, përfundon reagimi i komunës së Deçanit.

http://kallxo.com/kisha-serbe-kerkon-ndalimin-e-punimeve-ne-rrugen-decan-plave-reagon-ministri-lekaj/