Vjen për të Dëshmuar në Paterica, Mungon Prokurori

Por seanca nuk u mbajt meqë prokurori, zyra e të cilit është krejt përballë ndërtesës së gjykatës, nuk erdhi në seancë. Ai nuk kishte lajmëruar askënd për mungesë.

Në mungesë të prokurorit, gjyqtarit Elmaz Zenuni nuk i mbeti tjetër përpos se ta shtyjë seancën.

Në këtë rast, më herët prokurore kanë qenë Ikramije Bojaxhiu, ndërsa më pas aktakuzën e ka përfaqësuar prokurori Feti Tunuzliu.

Gjyqtari Zenuni njoftoi se asnjëri nga këta prokurorë nuk janë më në përfaqësim të këtij rasti, ndërsa prokuroria nuk ka dërguar ndonjë prokuror tjetër për këtë rast.

Në anën tjetër, dëshmitari, Rama ndonëse në kushte jo të mira fizike, tha se shpenzoi më shumë se 20 euro për të ardhur në gjykim.

Në këtë gjykim, Ilmi Gjata po akuzohet se si punëtor i Stacionit të Policisë së Kosovës në Fushë Kosovë, në Logjistikën e Trafikut Rajonal, në vazhdimësi nga viti 2012 deri më 2013 ka përvetësuar pasurinë që i është besuar për shkak të detyrës së tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Gjata më 31 janar 2013 rreth orës 21:30 shkoi në vendin e punës pas orarit të rregullt, me veturë private së bashku me djalin e tij, dhe pasi parkoi, me qëllim t’i shmangë dyshimet e kolegëve në të, ndërmori disa veprime, si ndërrimin e fletudhëtimeve të veturave zyrtare, e më pas hapi derën e bodrumit të objektit të policisë me të vetmin çelës unik që i ishte besuar.

Prokuroria pretendon në aktakuzë se pas këtyre veprimeve, nga kaldaja e nxemjes qendrore, me një pajisje çelës (francez), i kishte hapur gypat dhe i kishte mbushur bidonët me derivate të naftës dhe atë dy kanistra të plastikës 20 litërshe dhe katër bidonë me nga 10 litra.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me këto veprime i ka shkaktuar dëm Policisë së Kosovës dhe buxhetit të Kosovës, pasi që sipas kalkulimeve të vlerës monetare për shpenzimet e naftës, për shpenzimet e naftës gjatë viteve 2014 dhe 2015 është konstatuar shuma e parave prej 10 mijë e 181 euro.

Krejt ndryshe, sipas prokurorisë, qëndron situata për vitet 2012 dhe 2013  në kohën kur ka qenë përgjegjës i akuzuari, shpenzimet kanë qenë të mëdha pasi që për këto dy vite është shpenzuar shuma e parave në vlerë prej 55 mijë e 800 euro dhe 40 mijë e 781 litra naftë.

I akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë lidhur me këto pretendime të prokurorisë.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 15 shkurt.