Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Vjedhësit e Dyshuar të Qymyrit Kundërshtojnë Aktakuzën

Prokurorja e cila ka ngritur aktakuzë kundër Arsim Saraqit, Sabri Grajqevcit, Arsim Mulit dhe Adnan Bullakut kërkoi nga Gjykata që të hidhen si të pabazuara kundërshtimet e mbrojtësve të të akuzuarve.

“Mbetem në tërësi pranë aktakuzës dhe kërkoj nga Gjykata që të shkohet në shqyrtimin gjyqësor, pasi që aktakuza është e drejtë dhe e bazuar në prova dhe fakte”, tha prokurorja Ferdane Sylejmani.

Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre deklaruan se mbesin në tërësi pranë kundërshtimeve të bëra me shkrim kundër kësaj aktakuze dhe kërkuan që e njëjta të hidhet.

I akuzuari Adnan Bullaku, i cili në seancën e parë fillestare e ka pranuar fajësinë, para gjyqtares dhe prokurores e shprehu një shqetësim.

“Mbrëmë më ka thirrë në telefon Arsimi dhe më ka thënë: Nëse nesër nuk e pranon fajësinë për krejt kam me të shkel me kamion”, tha Bullaku duke folur për telefonatën që ka marrë nga i akuzuari tjetër i këtij rasti Arsim Saraqi.

“Unë e kam pranuar që kam qenë prezent në kryerjen e asaj vepre, por nuk kam qenë shofer i kamionetës ashtu siç thuhet pasi që unë vetëm kam ndihmuar, pasi që Arsimi ka ardhur në shpi dhe unë kam shkuar me i ndihmuar”, tha po ashtu i akuzuari.

Pas dëgjimit të palëve gjyqtarja e rastit Syzana Qerkini mori aktvendim me të cilin refuzohen kërkesat e mbrojtësve dhe aprovohet propozimi i prokurores.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit me veprën penale të vjedhjes grabitqare, e cila është e dënueshme nga 3 deri në 10 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, punëtori i sigurimit i KEK-ut i ka zënë të akuzuarit duke vjedhur thëngjill te shiritat e KEK-ut. Ngjarja ka ndodhur në shkurt të këtij viti në Obiliq.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit duke dashur të mbajnë pasurinë e vjedhur përkundër thirrjes së punëtorit të sigurimit që të ndalen i akuzuari Ballaku e ndez kamionetën e mbushur me thëngjill dhe e godet atë në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Pas leximit të aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar muajin e kaluar, Arsim Saraqi, Sabri Grajqevci dhe Arsim Muli nuk e kishin pranuar fajësinë, ndërsa Adnan Bullaku e kishte pranuar fajësinë, dhe kishte  shprehur keqardhjen për rastin e ndodhur.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

http://kallxo.com/gjykohen-per-vjedhje-te-thengjill-ne-vlere-20-euro/