Vizita e Ish-Banorëve-Tensione në Mushtisht

Serbët e zhvendosur nga Mushtishti janë larguar pa e vizituar këtë fshat.

Lajmin e kthimit të tyre nga fshati Shirokë i Suharekës ku po prisnin krijimin e kushteve për hyrje në fshatin ku jetonin para luftës e bëri të ditur për KALLXO.com Nexhmedin Krasniqi, shefi i Policisë rajonale në Prizren.

“Edhe pse rruga ka qenë e liruar dhe e siguruar, ata nuk kanë pranuar të vijnë,” tha Krasniqi.

Sipas komandantit Krasniqi, serbët nuk kanë hyrë në fshat, ngase kanë thënë se janë vonuar për shkak të protestave në Mushtisht.

Drejt Mushtishtit ishin nisur sot në mëngjes tre autobusë me serbë të zhvendosur në vitin 1999.

Që nga orët e hershme të mëngjesit banorë shqiptarë të Mushtishtit kishin bllokuar rrugën kryesore të fshatit për t’ua pamundësuar të ardhurve vizitën, pasi i akuzojnë ish-fqinjët për përfshirje në vrasjet, dëbimet dhe djegiet e shtëpive gjatë luftës.

Policia dhe protestuesit ende janë duke qëndruar në fshat, por situata aktualisht është e qetë.

22 protestues janë shoqëruar në polici, gjatë tri ndërhyrjeve të forcave të rendit, pasi i qëlluan policët me mjete të forta.

Gjatë orëve të protestës kishte edhe të lënduar nga të dy palët.

12:10

Drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit Nexhmi Krasniqi konfirmoi për KALLXO.com se priftërinjtë kanë kryer ceremonitë fetare të parapara në kishën e Mushtishtit.

Krasniqi ka thënë se policia i ka shoqëruar priftërinjtë në kishën ortodokse të fshatit, pasi ka shtyrë protestuesit nga qendra e Mushtishtit.

Ish-banorët e këtij fshati ende janë duke pritur për të vizituar pronat ku jetuan deri para vitit 1999, por nuk dihet nëse do të realizojnë këtë vizitë për shkak të kundërshtimeve të banorëve shqiptarë.

11:42

Policia arriti të largojë protestuesit nga qendra e fshatit Mushtisht.

Ajo po i mban ata në një rrugë që e lidh qendrën me lagjet e fshatit.

Sot në Mushtisht pritet të vijnë ish-banorë serbë të larguar nga fshati pas luftës. Banorët shqiptarë nuk e duan kthimin e tyre, ngase i konsiderojnë përgjegjës për krimet e kryrera në Mushtisht gjatë kohës së luftës.

gure2

11:35

Një polic është lënduar gjatë intervenimit të tretë të policisë ndaj protestuesve.

Sipas gazetarit të KALLXO.com në Mushtisht, polici është qëlluar me gur në sy. Ai është dërguar për trajtim mjekësor.

lendimi

11:25

Policia ka nisur përsëri aksionin për largimin e protestuesve në Mushtisht.

Policia dëshiron t’i largojë protestuesit nga qendra, ndërsa po i shtyn ata drejt fshatit.

Protestuesit si edhe gjatë intervenimit të mëparshëm po e gjuajnë policinë me gurë e shishe.

policia policia1 policia2 policia3

policia6

10:55

Forcat e Policisë së Kosovës ndërhynë përsëri në Mushtisht, pasi protestuesve iu dha ultimatum 10 minutësh.

Gjatë ndërhyrjes ka edhe të arrestuar, e të lënduar, ndërsa protestuesit e qëlluan policinë me shishe dhe gurë.

guri1 shishe

10:37

Policia kërkoi që protestuesit në Mushtisht të shpërndahen për dhjetë minuta.

Drejtori i Policisë Rajonale të Prizrenit Nexhmedin Krasniqi u dha afat protestuesve që për 10 minuta ta lirojnë rrugën në pjesën ku ata ende po qëndrojnë, përndryshe paralajmëroi ndërhyrjen për ta siguruar lëvizjen e lirë.

Krasniqi pas këtij urdhri pati një debat me banorët e Mushtishtit të cilët i kërkuan që të kontrollohet nëse mes serbëve që kanë ardhur ka persona të cilët janë në listën e personave të punësuar në policinë, ose ushtrinë serbe.

10:00

Forcat Speciale nga Prishtina aktualisht ndodhen 30 metra larg protestuesve.

Forcat nga Prishtina Mushtisht | Foto: KALLXO.com
Forcat nga Prishtina Mushtisht | Foto: KALLXO.com

09:50

Përveç forcave speciale të Policisë Rajonale të Prizrenit që ndërhynë më herët, sipas burimeve të KALLXO.com brenda Policisë së Kosovës, jo larg këtij fshati janë vendosur edhe njësi tjera speciale të ardhura nga Prishtina.

Qëllimi i policisë sipas këtyre burimeve është që protestuesit të largohen edhe nga qendra e fshatit, pasi atypari pritet të kalojnë autobusët që do të sjellin ish-banorët serbë të Mushtishtit në kishë dhe në fshat.

Edhe autobusët me këta banorë i janë afruar fshatit.

09:07

Aktualisht situata në Mushtisht është qetësuar pas ndërhyrjes së policisë. Protestuesit dhe policët vazhdojnë të qëndrojnë përballë njëri-tjetrit.

13 protestues janë shoqëruar në polici.

08:50

Policia ka arritur të zhbllokojë rrugën në të cilën sot në mëngjes kishin dalë banorët e Mushtishtit për të kundërshtuar një vizitë të serbëve që jetuan në këtë fshat.

Pas intervenimit, ajo i ka shtyrë protestuesit deri në qendër të fshatit, duke hapur rrugën e bllokuar. Tash rruga deri te kisha ortodokse e Mushtishtit është e hapur.

Mushtisht-rruga1

08:30

Situata ka eskaluar në Mushtisht pasi policia ka nisur aksionin e largimit të protestuesve nga rruga.

Sipas gazetarit të KALLXO.com në Mushtisht, policia është duke i shtyrë të tubuarit drejt qendrës së fshatit.

Gjatë ndërhyrjes ka të lënduar dhe të arrestuar.

Ndërhyrja e policisë në Mushtisht | Foto; KALLXO.com
Ndërhyrja e policisë në Mushtisht | Foto; KALLXO.com

08:15

Policia ka filluar ndërhyrjen, ndërsa protestuesit që kanë bllokuar rrugën po qëndrojnë ulur.

08:12

Në Mushtisht banorët shqiptarë kanë dalë në rrugë për ta penguar ardhjen e paralajmëruar të ish-fqinjve të tyre serbë.

Serbët që jetuan në këtë fshat deri në vitin 1999 kanë paralajmëruar vizitë në Mushtisht dhe kishën e këtushme ortodokse për të kryer rite fetare.

Rruga e bllokuar çon drejt qendrës së fshatit dhe nëpër të mund të vijnë për vizitë ish-banorët serbë të larguar pas luftës.

Banorët që me vete mbajnë flamuj kuq e zi, u nisën nga qendra e fshatit për ta bllokuar rrugën kryesore, por më pas u përballën me një kordon policor.

Policia u kërkoi të mbledhurve të lirojnë rrugën, por ata marshuan duke thyer këtë kordon.

Aktualisht policia ka krijuar një kordon tjetër, ndërsa banorët po vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë.

Në Mushtisht ka ardhur edhe Njësia Speciale e Policisë me pajisjet për intervenim dhe është vendosur disa metra larg protestuesve.

mushtisht5 mushtisht4 njesia njesia1 policia

Më 21 gusht disa të rinj nga ky fshat vendosën një pllakat në qendër të Mushtishtit kundër kthimit të paralajmëruar të ish-banorëve serbë të këtij fshati.

Në pllakat, përveç fotografive, në anglisht dhe shqip u shkrua “kjo është ajo që lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal”.

http://kallxo.com/pamje-te-luftes-si-reagim-ndaj-kthimit/

Ministri për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq paralajmëroi kthimin e serbëve në Mushtisht në qershor të këtij viti. Banorët shqiptarë të fshatit i akuzojnë ish-fqinjët e tyre serbë se  u përfshinë në fushatat e vrasjeve të njerëzve të fshatit, djegies së shtëpive dhe plaçkitjeve gjatë kohës së luftës së vitit 1999.

Edhe në Gjakovë shpeshherë gjatë vizitave të ish-banorëve serbë për rite fetare, ka pasur protesta të fqinjve të tyre shqiptarë.