Vizita e Admiralit- Shtrëngim Duarsh te Ura e Ibrit

Te ura kryesore e lumit Ibër, por edhe në sheshin përtej urës në Mitrovicën Veriore, qëndroi sot admirali i NATO-s James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli të Italisë.

Foggo u shoqërua nga komandanti i KFOR-it Salvadore Couci dhe nga kryetari i Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri.

Admirali Foggo III gjatë vizitës te ura shprehu keqardhje për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa tha se për shkak të kësaj çështjeje e ka shtyrë vizitën që e kishte planifikuar më herët.

“Kam shtyrë agjendën pas vrasjes fatkeqe të Oliver Ivanoviqit, sepse doja të vija këtu me mesazhin se KFOR-i është i gatshëm të ofrojë çka do që ne mundemi për të ruajtur stabilitetin, paqen dhe sigurinë”, tha Foggo.

Ndërsa komandanti i KFOR-it Salvadore Couci në lidhje me urën që ende nuk është hapur pas rinovimit, tha se ajo ka një rëndësi shumë të madhe për të gjithë dhe se kjo është një mundësi e mirë për rihapjen.

Kryetari i Mitrovicës Veriore Goran Rakiq, fjalët e Foggos dhe Coucit i dëgjoi nga cepi verior i urës, deri në momentin kur Foggo, Couci e Bahtiri dolën në atë pjesë.

Pastaj pas një bashkimi dhe shtrëngimi duarsh, kryetarët e dy komunave bashkë me zyrtarët e NATO-s dhe KFOR-it vizituan sheshin në veri.