Libra shkollorë. Foto: Kallxo.com

Viti Shkollor 2019/2020 me Tekste të Reja Shkollore

Viti shkollor 2019/2020 do të sjellë ndryshim të librave shkollore në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për media tha ndryshimi i teksteve shkollore ka ardhur si rezultat i librave që kanë pasur gabime qofshin teknike apo përmbajtjesore.

“Edhe këtë vit, viti shkollor 2018/2019 ne do t’i kemi tekstet e vjetra sepse kështu e ka paraparë Këshilli i Ekspertëve. Tekstet e reja do të jenë të gatshme për vitin e ri shkollor 2019/2020”, deklaroi Bytyqi.

Krejt ky ndryshim, sipas ministrit, do të bëhet përmes një konkursi publik i cili pritet të hapet këtë vit.

“Konkursi publik do të jetë në dy nivele, niveli i parë do të kemi publik të librave për klasën përgatitore, për klasën 0, 1 6 dhe 10. Ky konkurs do të shpallet shumë shpejtë dhe sipas planit dinamik që Këshilli i Ekspertëve e ka përpiluar, planifikohet që diku deri  në tetor të bëhet dorëzimi i dorëshkrimit për tekstet e reja”, tha Bytyqi.

Ai tha se pjesa e dytë e konkursit  për tekstet e reja shkollore do të hapet në muajin korrik për klasat 2, 7 dhe 11.

I pari i Ministrisë së Arsimit, tha se pritet që për periudhën gjashtë mujore të bëhet dorëzimi i dorëshkrimit të parë të autorëve të teksteve shkollore ndërsa në muajin janar 2019 të bëhet dorëzimi i dorëshkrimit të dytë për këto tekste shkollore.

Bytyqi tha se po bëhen përpjekjet dhe angazhimet e MASHT-it për miratimin e Projektligjit për tekstet e reja në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ai pranoi se ka probleme edhe me mungesën e teksteve shkollore në shkollat profesionale në Kosovë.

Ndërsa i pyetur se a do të ndryshojnë emrat e autorëve të teksteve shkollore, për shkak se deri më sot ka pasur autor të njëjtë dhe po ashtu shtëpi të njëjta botuese, ministri Bytyqi tha se kjo nuk është përgjegjësi e tij dhe dikasterit që ai drejton.

KALLXO.com pati raportuar pwr përmbajtje diskriminuese në tekstet shkollore në Kosovë.

Në disa tekste shkollore, si te libri “Njeriu dhe Natyra”, të klasës së pestë te kapitulli Zhvillimi individual i njeriut, Kallxo.com pati gjetur se zbulimi i belit nga femrat shkakton sterilitetin, që në gjuhën mjekësore i bie pamundësia për të lindur fëmijë.