Kryetari i VV-së, Visar Ymeri - Foto: Vetëvendosje

Visar Ymeri: Ushtria Duhet Bërë!

Në mbledhjen XXVII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes “Vetëvendosje”, kryetari i këtij subjekti politik shumicën e fjalimit ia ka kushtuar përpjekjes kosovare për krijim të ushtrisë.

Ai deklaroi se ushtria duhet bërë dhe ky proces nuk duhet të mbetet në gjysmë.

“Kjo rrugë edhe pse e domosdoshme nuk është aspak e mjaftueshme dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndalemi në gjysmë.Çfarëdo tërheqje tash pa e bërë ushtrinë e Kosovës nënkupton tërheqje në shtetbërje.Ushtria pra duhet të bëhet”, tha Ymeri.

Ai kërkoi që partnerëve ndërkombëtarë t’u shpjegohet nevoja e Kosovës për mbrojtje dhe ushtri.

“Domosdoja për ushtrinë  e Kosovës, për mbrojtje, për sovranitet e dinjitet duhet shpjeguar mirë, por kjo nuk nënkupton që duhet të zmbrapsemi nga rruga.Lënia në gjysmë, zmbrapsja, heqja dorë nga ushtria është rrezik i madh, është më keq sesa të mos nisej fare”, tha Ymeri.

Megjithatë, kryetari i Vetëvendosjes deklaroi se Thaçi e nisi procesin e dhënies së kompetencave shtesë të ushtrisë për qëllime personale.

“Së këndejmi [Projektligji për FSK-në]edhe pse hap në drejtim të duhur, është i mangët në qëllim e edhe në praktikë.Ligji më shumë se për qëllimin e vet flet për qëlllimin e Thaçit”, tha Ymeri.

Presidenti Thaçi më 7 mars ia dorëzoi Kadri Veselit Projektligjin për FSK-në me anë të të cilit Forcës së Sigurisë së Kosovës synohet t’i jepen kompetenca ushtarake.

Pastaj këtë projektligj më 8 mars Kryesia e Kuvendit ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës për mendim.

Thaçi veprimin e tij e arsyetoi me pamundësinë që FSK-ja të transformohet me ndryshime kushtetuese, pasi bërjen e FSK-së ushtri e kundërshton Lista Serbe.

FSK-ja mund të transformohet me ndryshime kushtetuese me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe shumicës së deputetëvë të komuniteteve.

Ndaj këtyre veprimeve reaguan NATO-ja dhe ambasada e SHBA-së në Kosovë që thanë se janë për transformim të FSK-në nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Por Thaçi deklaroi dje në RTK se do të japë dorëheqje nësë FSK-ja nuk transformohet.

Ymeri në fjalimin para të pranishmëve në mbledhjen XXVII të Këshillit të Përgjithshëm të “Vetëvendosjes tha se ushtria nuk duhet të krijohet në konsultim me Beogradin.

Republika e Serbisë është shtet armiqësor dhe është e përfshirë në agresion faktik në një pjesë të territorit. Ushtria duhet themeluar dhe ndërtuar para së gjithash dhe mbi të gjitha kundrejt Beogradit, sepse na duhet për t’u mbrojtur nga politika e Beogradit

Ymeri akuzoi institucionet e Kosovës se janë vënë në shërbim të drejtuesve të tyre.

“Secili institucion i vendit duke filluar nga Presidenca e te Kuvendi, qeveria, ministritë e veçanta të gjitha e bëjnë punën e tyre ose më shpesh nuk çajnë kokën fare për punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe pa ndonjë lidhje mes njëra-tjetrës dhe të gjitha së bashku janë vendosur tërësisht në funksion të krerëve të tyre institucionalë për t’i ndihmuar ata dhe për t’i shpëtuar ata”, deklaroi Ymeri.

Megjithatë ai disa herë përsëriti se në Kosovë nuk ka vend për pesimizëm e letargji.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm do t’i vazhdojë punimet pa praninë e medieve.