Visar Ymeri

Visar Ymeri Reagon Pas Dënimit të Deputetëve të Vetëvendosjes

Tashmë ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar pas dënimit të deputetëve Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e Albulena Haxhiu.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Ymeri tha se dënimet e shqiptuara sot janë treguesi më i mirë për qëllimin politik të këtij rasti.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, e përfaqësuar nga Beqir Kalludra shprehi supremacionin juridik dhe politik ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe vullnetit të 205 mijë qytetarëve të cilët shprehën kundërshtimin e tyre në peticionin referendar ndaj marrëveshjeve që cenonin qenësinë e Republikës, për kundërshtimin e të cilave sot deputetët u shpallën fajtor”, theksoi Visar Ymeri.

Sipas tij, ky gjykim me këta gjyqtarë është mostra më kredibile që dëshmon diktatin politik ndaj sistemit gjyqësor.

“Albini, Albulena, Donika dhe Fatoni janë përfaqësues të popullit në emër të të cilit sot u dënuan. Aktgjykimi si i tillë është akti më hipokrit që ka prodhuar ndonjë institucion vendor deri më tani dhe si i tillë është mjeti i fundit i persekutimit të kundërshtarëve politik”, ka theksuar ai.

Ndryshe, Gjykata e Prishtinës shpalli sot fajtorë dhe i dënoi me burgim me kusht katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Dje, Visar Ymeri ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese në Vetëvendosje.

http://kallxo.com/visar-ymeri-jep-doreheqje-nga-funksionet-e-partise/