Visar Ymeri Mbron Albin Kurtin

Në krizën që e ka kapluar Lëvizjen Vetëvendosje ditëve të fundit, Visar Ymeri dhe Albin Kurti janë vendosur në krahë rivalë brenda partisë, por kjo nuk e ka penguar kreun e VV-së që t’i dalë në mbrojtje Albin Kurtit dhe tre deputetëve tjerë të kësaj partie, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj e Faton Topalli, në betejën e tyre gjyqësore për gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend.

Në ditën kur këta katër deputetë dolën para gjykatës, ndërsa Kurtit e Kadajt iu vazhdua masa e paraburgimit, Ymeri kritikoi prokurorin dhe gjykatësin e lëndës për mënyrën se si shkoi seanca e sotme.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, nuk u paraqit për ta dhënë dëshminë ndërsa Ymeri e quajti “kryekëput politik” procesin gjyqësor.

“Albini dhe Donika u arrestuan më 24 nëntor dhe prapë më 27 nëntor. Në burg po mbahen edhe sot, në ditën e 27’të. Gjatë këtyre ditëve u mbajtën 2 seanca gjyqësore (përfshirë këtë të mbajtur sot). Në asnjërën prej këtyre seancave nuk u paraqit Kadri Veseli në cilësinë e dëshmitarit të prokurorisë. Por ky asnjëherë nuk u arrestua. Edhe pse qartazi e shpërfilli thirrjen e gjykatësit. Edhe pse qartazi po e shpërfill gjyqin. Dhe pas tërë kësaj prokurori hoqi dorë nga dëshmimi i Veselit”, komentoi Visar Ymeri në profilin e tij në Facebook.

“E gjykatësi Albinin e Donikën i dërgoi prapë në burg. Ky proces është kryekëput politik, dhe kryekëput absurd proceduralisht. Kështu është kur e ke sistemin në dorë, sikur Veseli. Kur e ke gjykatësin në kontroll. Kur e ke prokurorin në dorë. Mund të bësh çfarë të duash. Pa pësuar asgjë”, shtoi Ymeri.

Sipas Ymerit, kryetari i Kuvendit KVeseli nuk është njëri prej dëshmitarëve, por është “denoncuesi kryesor”.

“Ai që me ngulm insistonte dhe insiston që Marrëveshja për Demarkacion të ratifikohet në Kuvend. Ai që insistonte që Zajednica të pranohej e zbatohej. Ai që insiston që Albini dhe Donika të mbahen në burg. Dhe këtë duke urdhëruar nga lartë e duke e mundësuar praktikisht nga poshtë”, tha Ymeri.

“Këtë Veseli e bën me veglat e tij. Beqir Kalludra, gjykatësi përndjekës ndaj aktivistëve e deputetëve të VETËVENDOSJE!-s, duket të jetë njëra prej veglave më të përdorshme. Prandaj ky gjykatës i ka rastet kryesore kundër VETËVENDOSJE!-s në gjykim. Sepse e ka dëshmuar që dënon pa prova, mbanë deputetë në burg me urdhëra politik, i falë e u nënshtrohet të pushtetshmëve të ShIK-ut. Kështu mbijeton Kalludra, duke e mundësuar që të mbijetojë gjyqësori i kapur. Ai vet e tha sot se gjykatën e konsideron si të vehten, duke i nxjerrë të pranishmit jashtë pa asnjë arsye, dhe duke i kërcënuar se ‘nuk do të mund të hyjnë në gjykatën e tij’”, tha Ymeri duke iu referuar një deklarate të sotme nga Kalludra.

“Nuk është e mjaftueshme të thuhet se institucionet politike kanë ndikim mbi gjyqësorin. Është më thellë e më keq se kaq. Institucionet e kriminalizuara e kontrollojnë gjyqësorin. Kjo e bën që në Kosovë të mos gjykohet krimi, por të ndodh e kundërta, Krimi të shndërrohet në gjykatës e prokuror”, tha Ymeri duke kërkuar liri për deputetët dhe aktivistët e Vetëvendosjes të arrestuar e të dënuar dhe drejtësi për vdekjen e aktivistit të partisë, Astrit Dehari.