Vincenzo Paglia Merr Titullin ‘Honoris Causa’ në UP

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, gjatë ceremonisë së dorëzimit të titullit, e vlerësoi klerikun katolik si “njeri i jashtëzakonshëm, human e diplomatik për paqe, tolerancë, mirëqenie e dashuri mes njerëzve”.

“(Vincenzo Paglia) mori mbi supet e veta normalizimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet në Kosovë të udhëheqjes së bisedimeve me palën serbe”, tha Dema.

“Në këtë drejtim, marrëveshja e arritur parashikonte kthimin e studentëve, nxënësve e profesorëve shqiptarë në objektet shkollore. Kjo marrëveshje ishte një konfirmim i mirësisë e cila u mundësonte të rinjve të të angazhohen për arsimim dhe për të qenë qytetarë të përgjegjshme dhe për atë kohë vlerësohej fitore e gjithë qytetërimit, jo fitore e njërës palë mbi tjetrën”, tha rektori Dema.

Ndërsa ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se dhënia e titullit për Monsignor Vicenzo Paglia e nderon vetë UP-në, stafin dhe studentët e këtij universiteti.

“Monsignor Paglia është klerik i shquar me rol të veçantë në promovimin e paqes dhe tolerancës ndërfetare në Europë por edhe një nga figurat unike që ka dhënë kontribut në procesin e afirmimit të vlerave në vendet e Ballkanit”, tha ministri Bajrami.

“Monsignor Paglia është njeri me shpirt e zemër të madhe, humanist i pashoq në shërbim të tolerancës, promovimit të lirive dhe drejtësisë njerëzore. Ai është një ndër figurat e para nga komuniteti ndërkombëtar që adresoi hallet e njerëzve të këtij nënqielli”, shtoi ai.

Ndërsa Monsinjor Vicenzo Paglia ka falënderuar Universitetin e Prishtinës për nderimin qe i është bërë dhe se ndjehet i lumtur  dhe i respektuar nga populli dhe komuniteti i arsimor në Kosovë .