Asllan Uka | Foto: KALLXO.com

Viktimat e Plumbave Qorr nuk Pajtohen me Deklaratën e Kryeministrit

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi të premten hulumtimin për viktimat nga plumbat qorr.

Nga këta plumba ka pasur të vdekur e gjithashtu të plagosur që kanë mbetur në karroca invalidësh.

Asllan Uka nga fshati Banjskë i Vushtrrisë që nga një plumb i shkrepur në një dasmë mbeti në karrocë invalidësh, tha se është ndjerë keq kur ka parë disa zyrtarë shtetërorë duke gjuajtur me armë zjarri.

“I kemi pa të gjithë që në një aheng ministra e politikanë tu shti me armë. Nuk e di çka i ka shtyrë ata dhe çfarë kënaqësie kanë ndjerë kur kanë shti me armë”, tha Uka.

Një video doli në media nga një festë që e bëri zëvendëskryeministri Fatmir Limaj në fshatin Banjë të Malishevës, pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre.

Uka nuk u pajtua as me deklaratën e Kryeministrit Haradinaj se duhet të legalizohen armët si në Amerikë dhe se gjuajtja me armë është traditë në Kosovë.

“Mirëpo është për keqardhje kur Kryeministri, i pari i vendit në vend së t’i qortojë apo t’i ndëshkojë, në njëfarë mënyre ju del në mbështetje sikur i përkrah ata duke thënë se zakoni po thojka me gjuajt me armë dhe se këtë do ta kisha bërë edhe unë”, tha Uka.

Ai deklaroi se Kryeministri është më mirë të merret me pasojat e të shtënave me armë.

“Ky është një paradoks sepse më mirë Kryeministri kish me qenë të merret me pasojat sepse ai që e ka provuar din edhe me të treguar”, shtoi Uka.

Deklaratën e Ukës mund ta ndiqni në vijim.