Vikendi i Skandaleve të Përgjimit në Europë
Edward Snowden, ish-punonjësi i kontraktuar në Agjencinë amerikane të Sigurisë Kombëtare (NSA), i cili u bë i njohur për botën pas bërjes publike të skandalit të përgjimeve të komunikimeve elektronike anembanë botës nga ana e NSA-së, bëri të njohura dokumente të reja të klasifikuara si “top sekrete” mbi spiunazhin britanik.
Sipas këtyre dokumenteve inteligjenca britanike, MI6, kishte përgjuar telefonatat dhe emailat e politikanëve dhe diplomatëve të huaj në samitin e G20 të mbajtur në Londërnë vitin 2009.
Skandali u bë i njohur pikërisht tani kur po zhvillohen takimet e Samitit të G8-tës në Irlandën e Veriut
Në vitin 2009, gjatë samitit, Zyra Qendrore e Komunikimeve Qeveritare e Britanisë (GCHQ), simotër e Agjencisë Amerikane të SigurisëKombëtare (NSA), kishte monitoruar kompjuterët dhe telefonatat e diplomatëve dhe politikanëve të huaj me kërkesë të qeverisë britanike.
Delegatë të shteteve pjesëmarrëse ishin nxitur të përdornin internetin lokal i cili figuronte si internet kafe ndërsa në fakt ishte ngritur nga inteligjenca britanike MI6 për të monitoruar trafikun e emailave dhe telefonatave.
Ndër delegacionet e përgjuara thuhet të kenë qenë ai i Turqisë dhe Afrikës së Jugut, dy aleatë të vjetër të Mbretërisë së Bashkuar. Ministri turk i financave, Mehmet Simsek, thuhet të ketë qenë “viktimë” ndërsa ishte tentuar të përgjohen edhe telefonatat e enkriptauara të Presidentit të Rusisë, Dimitri Medvedev.
Sipas The Guardian, dokumenti i zbuluar i quan “aftësi të jashtëzakonshme të inteligjencës” përgjimet e GCHQ ndaj delegacioneve pjesëmarrëse në G20.
Taktikat e spiunimit përfshin këto pika:
-Ngritjen e internet kafeve të cilat përdornin një program softuerik me aftësi të qasjes në email që mundësonte spiunimin e delegacioneve vizitore.
-Penetrimi në telefonat e markës BalckBerry për të monitoruar emailat dhe telefonatat.
-Vënia në dispozicion 45 analistëve gjatë gjithë kohës, të cilët përcillnin kush po telefonon kë gjatë samitit.
-Përgjimi i ministrit turk të financave dhe 15 anëtarëve të tjerë të partisë së tij.
-Marrja e raporteve nga NSA-ja amerikane rreth tentimeve për të përgjuar telefonatat satelitore të presidentit rus, Dimitrey Medvedev.
Të gjitha këto të dhëna i kishin dhënë një krah të fortë delegacionit britanik gjatë negociatave të delegacioneve pjesëmarrëse në samitin e G20-tës të mbajtur në Londër në vitin 2009.
Dorëheqja e kryeministrit çek
Në republikën çeke u paraqit dorëheqja zyrtare e kryeministrit Petr Necas pas skandalit të përgjimeve që u bë i ditur javën e kaluar kur policia arrestoi shefen e kabinetit të tij Jana Nagyova nën dyshime se kishte urdhëruar ilegalisht agjencinë e inteligjencës ushtarake të përgjonte disa civilë.
Mediat çeke njoftojnë se në mesin e personave të përgjuar është edhe gruaja kryeministrit.
Prokurori i rastit Ivo Isvan nuk e ka konfirmuar këtë, por ka thënë se përgjimet ishin urdhëruar për “motive personale” të kryeministrit.
Kryeministri çek Petr Necas| Foto: Wikimedia
Isvan ka shtuar se arrestimi i shefes së kabinetit të kryeministrit çek, Jana Nagyova, kishte ndodhur pasi ajo kishte keqpërdorur pozitën e saj duke kërkuar nga agjencia ushtarake e çekisë të spiunonte tre qytetarë civilë.
Spiunimi ishte i paligjshëm pasi nuk ishte nënshkruar dhe autorizuar nga ministria e mbrojtjes, siç parasheh ligji i këtij vendi.
Kjo vepër penale në çeki dënohet deri në 5 vjet burgim.
Arrestimet kanë përfshirë edhe gjashtë persona të tjerë, përfshirë zyrtarë të inteligjencës ushtarake dhe ish-deputetë, njofton portali çek aktuane.cz.
Raportimi bazohet në The Guardian, The New York Times dhe aktuale.cz