‘Vijat e kuqe’ Komplikojnë Bisedimet Për Qeverinë e Re

Pas një koalicioni qeveritar 8-vjeçar, partia kryesore VMRO DPMNE dhe ish-partneri i saj shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, kanë nxituar të reklamojnë qëndrimet e tyre dhe “vijat e kuqe” në media përpara se të nisin bisedimet formale për qeverinë e re.

Duke gjykuar nga kushtet që kanë vënë për njëri-tjetrin, dy partitë që fituan shumicën e votave në zgjedhjet e 11 dhjetorit e kanë përjashtuar një aleancë të re.

Diferencat e politikave të tyre janë parë si të papajtueshme fillimisht në çështje të drejtësisë dhe të gjuhës.

VMRO DPMNE këmbëngul se Prokuroria Speciale SJO, – e ngritur për të hetuar krimin në nivel të lartë – nuk duhet të ekzistojë më. BDI thotë krejt të kundërtën. Dhe ndërsa BDI do që shqipja të bëhet gjuhë zyrtare në të gjithë Maqedoninë [jo vetëm në zonat ku shqiptarët janë të shumtë në numër], VMRO DPMNE e quan këtë të papranueshme.

“VMRO DPMNE nuk do të negociojë apo të lejojë ndryshime në rendin kushtetues në favor të dygjuhësisë për të gjithë territorin e Maqedonisë, as nuk do të tolerojë zgjatjen e mandatit të SJO [që mbaron në mars], tha partia në një deklaratë për shtyp.

Ndërkohë, BDI kërkon një zgjatje të mandatit të SJO, shqipen gjuhë të dytë në të gjithë Maqedoninë dhe integrim të shpejtë europian dhe atlantik të Maqedonisë. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani tha se pranimi i këtyre kërkesave është një parakusht për hyrjen në bisedime për qeverinë.

“Ne gjithashtu nuk heqim dorë nga hedhja dritë mbi çështjet gjyqësor [të lidhura me shqiptarët], që është gjithashtu pjesë e platformës së përbashkët shqiptare,” tha Osmani, duke iu referuar platformës së nënshkruar nga partitë kryesore shqiptare më herët këtë muaj.

VMRO DPMNE thotë se përdorimi zyrtar i shqipes në territorin kombëtar do të dëmtojë natyrën e bashkuar të shtetit dhe rendit kushtetues.

BDI, megjithatë, këmbëngul se kërkesa për gjuhën nuk dëmton kushtetutën dhe përputhet me Marrëveshjen e Paqes të Ohrit të vitit 2001, e cila i dha fund një kryengritje të shkurtër shqiptare. Partia gjithashtu thotë se statusi i barabartë si për maqedonasit dhe shqiptarët do ta unifikojë shoqërinë.

Kreu i BDI, Ali Ahmeti, ka ofruar ndërkohë pesë opsione, të cilat ai tha se partia e tij po i konsideron.

Një është formimi i një koalicioni të ri BDI me VMRO DPMNE. Opsioni i dytë është një koalicion i BDI me socialdemokratët e opozitës, së treti partia po konsideron një koalicion të madh qeveritar, ose zgjedhje të reja dhe së pesti tërheqje të BDI-së në opozitë.

Të tre zv/kryetarët e BDI, Izet Mexhiti, Teuta Arifi, Nevzat Bejta dhe Sadula Duraku, si dhe pothuajse të gjithë drejtuesit e BDI, e kundërshtojnë një aleancë të re me VMRO DPMNE.

Ata thonë se partia pagoi një çmim të lartë për aleancën 8-vjeçare me VMRO DPMNE në zgjedhjet e 11 dhjetorit, kur mbështetja iu përgjysmua dhe fitoi vetëm 10 vende krahasuar me 19 në vitin 2014.

Nevzat Bejta lajmëroi me të mbaruar zgjedhjet se një rinovim i aleancës me VMRO DPMNE kishte pak gjasa.

“Nuk kam takuar asnjë shqiptar që do një koalicion me VMRO dhe Gruevskin,” tha Bejta.

Asnjë nga zërat e tjerë të njohur brenda BDI nuk e mirëpret qeverisjen me VMRO DPMNE-në gjithashtu.

Megjithatë, sipas statutit të partisë dhe në praktikë, lideri i BDI Ahmeti ka fjalën e fundit për vendime të tilla.

Ylber Sela, profesor në Universitetin e Tetovës, thotë se vendimi përfundimtar i BDI-së do të varet nga se cila prej dy partive kryesore maqedonase pranon platformën e përbashkët të nënshkruar nga partitë kryesore shqiptare etnike.

“BDI duhet… të ndjekë vullnetin e shqiptarëve rreth limiteve të tyre dhe kërkesave të votuesve,” tha Sela.

“Nëse asnjë nga dy partitë kryesore maqedonase nuk i refuzon pikat kyçe, një opsion është formimi i një koalicioni qeveritar të gjerë që do të ngarkohet me zbatimin e raportit Priebe [që kërkon reforma demokratike urgjente], rekomandimet e Komisionit Europian, finalizimin e Marrëveshjes së Ohrit për Paqen, shtyrjen e mandatit të SJO, shtyrjen e zgjedhjeve vendore [programuar për në maj] me gjashtë muaj dhe kryerjen e zgjedhjeve të përbashkëta vendore dhe parlamentare në nëntor”, shtoi Sela.

Analisti politik Albert Hani tha se VMRO DPMNE kishte filluar të largohej nga gjuha e përqendruar te etnia që nga zgjedhjet, “duke u përqendruar te shteti në vend të interesave etnike dhe duke folur rreth pikave të përbashkëta të interesit në vend të përçarjeve etnike”.

Liderët Nikola Gruevski i VMRO majtas dhe Ali Ahmeti i BDI djathtas. Foto: MIA
Liderët Nikola Gruevski i VMRO majtas dhe Ali Ahmeti i BDI djathtas. Foto: MIA

“E shoh këtë si një shenjë të koordinimit [mes BDI dhe VMRO DPMNE} dhe pres që këto dy parti të konsolidojnë qëndrimet e tyre dhe të zbusin gjuhën përpara afatit përfundimtar të krijimit të qeverisë së re [që skadon më 29 janar],” shtoi ai.

Hani mendon se të dyja partitë nuk duhet të përjashtojnë zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale nga bisedimet për qeverinë e re.

“Nëse skenari mbi pikat e përbashkëta të interesit dështon, VMRO DPMNE mund t’ia japë mandatin për krijimin e qeverisë së re LSDM, që pastaj do të përdoret për të nxitur axhendën e tyre etnocentrime [të VMRO] dhe që do të çojë në zgjedhje të reja”, parashikoi Hani.

Disa parti shqiptare preferojnë LSDM

Ndërsa BDI nuk përjashton një aleancë të re me VMRO DPMNE, partitë e tjera të mëdha shqiptare, Besa dhe Aleanca Shqiptare, nuk do të hyjnë në koalicion me të.

Zv/kryetari i BESA, Zeqiria Ibrahimi, thotë se nëse LSDM është gati për të diskutuar platformën e përbashkët shqiptare, ata do të diskutojnë me opozitën.

Ibrahimi gjithashtu tha se Maqedonia do të ishte një vend më funksional nëse mbyllte çështjet etnike si mosmarrëveshja e gjuhës dhe bën thirrje për një ligj të ri mbi statusin e shqiptarëve, si dhe një ligj të ri mbi barazinë ekonomike mes dy komuniteteve.

“Barazia ekonomike duhet rregulluar me një ligj mbi shpërndarjen e drejtë të buxhetit kombëtar. Ne gjithashtu e shohim perspektivën e Maqedonisë në BE dhe NATO si të rëndësishme,” tha Ibrahimi.

Arben Taravari, sekretar i përgjithshëm i PDSH-së – Lëvizja për reformat, komponenti më i rëndësishëm i Aleancës Shqiptare, thotë se partia e tij do të bisedojë me SDSM nëse “gjendet një gjuhë e përbashkët rreth dygjuhësisë, SJO-së dhe decentralizimit të pushtetit”.

Një qeveri e re pa BDI?

Në zgjedhjet e dhjetorit, VMRO DPMNE fitoi 51 nga 120 vendet e parlamentit, dhjetë më pak se shumica e nevojshme për qeverinë. LSDM fitoi 49.

Kjo e bën BDI-në dhe 10 deputetët e saj lojtarët kyç në kombinimet e nevojshme për çdo qeveri të re.

Mbështetja BDI-së mund të sigurojë shumicën e thjeshtë që VMRO DPMNE ka nevojë. Me ndihmën e një ose më shumë partive shqiptare të opozitës, SDSM në opozitë mund të marrë shumicën për të cilën ajo ka nevojë.

Megjithatë, Ali Pajaziti, profesor në Universitetin e Europës Juglindore në Tetovë, thotë se Besa, me gjashtë deputetët e saj dhe Aleanca shqiptare, me tre, kanë dalë si fitimtarët e vërtetë moral në zgjedhje në bllokun shqiptar.

Por ai shtoi, “Besa duket e vendosur për të qëndruar në opozitë ndërsa Aleanca ndryshon [pikëpamjet] dhe nuk ka një pozicion të artikuluar rreth të ardhmes së vet,” tha ai.

Ai mendon se qëndrimet politike të Aleancës “janë më radikale se të BDI, por mbetet për t’u parë sesa do të bëjnë ato sens në kuptimin politik, se si ata një ditë do të përmbushin zotimet për ripërkufizim dhe federalizim të Maqedonisë”.

Fejzi Hajdari, botues i gazetës në gjuhën shqipe Lajm, beson se BDI nuk duhet të jetë pjesë në qeverinë e ardhshme.

“Partitë opozitare shqiptare duhet të bashkohen pas Besës dhe të formojnë një bllok opozitar me 10 deputetë,” tha ai.

“Si një përfaqësues thelbësor i votuesve shqiptarë, ky bllok më pas mund të fillojë bisedimet me LSDM për një qeveri të re. Ata duhet të ftojnë BDI të mbështesë këtë qeveri … pa lejuar BDI të jetë pjesë e saj. Nëse BDI refuzon, duhet të lihet të formojë një koalicion me VMRO DPMNE,” tha Hajdari.

Ai mendon se partitë opozitare shqiptare nuk duhet të përqafojnë asnjë qeveri të formuar mes LSDM dhe BDI sepse kjo do të justifikonte gabimet që BDI bëri në tetë vite pushtet.

Hajdari thotë se nëse BDI hyn në një qeveri të tillë do të bllokonte efektivisht investigimet mbi çdo çështje kriminale të bërë nga qeveria e mëparshme dhe do të pengonte përpjekjet për të nxjerrë regjimin e Gruevskit para drejtësisë.

Nga ana tjetër, nëse BDI formon një qeveri të re me VMRO DPMNE, ai thotë se parti të tjera shqiptare nuk duhet ta mbështesin atë dhe kështu shkelet vullneti i votuesve shqiptarë.