FOTO ILUSTRIM: Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

I Vidhet nga Qafa Zinxhiri i Arit

Nëntëmbëdhjetëvjeçari me iniciale E.E dhe shtatëmbëdhjetëvjeçari me iniciale K.Zh banorë të Vushtrrisë janë arrestuar për këtë grabitje.

Grabitjen në polici e kishte lajmëruar viktima.

Në një njoftim të Policisë së Rajonit të Mitrovicës thuhet se zinxhiri i grabitur ishte i vlefshëm 200 euro.

“Viktimës së rastit, e cila ishte dike ecur rrugës, një person i veshur me rroba të zeza ia kishte këputur dhe ia kishte marrë nga fyti një zinxhir ari në vlerë 200 euro,” thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas njoftimit policor, me të marrë informacionin për grabitjen, njësitet policore në bazë të të dhënave dhe përshkrimit të personit të dyshuar ishin vënë në kërkim të tij duke e identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin E. E., tri orë pas raportimit të grabitjes së zinxhirit.

Pas arrestimit të nëntëmbëdhjetëvjeçarit, policia ka arritur ta arrestojë edhe personin e dytë të dyshuar.

Nga hetimet e deritanishme dhe provat materiale të siguruara nga ana e hetuesve, bëhet e ditur se dy të dyshuarit në bashkëveprim kanë kryer vepër penale të grabitjes ku më pas zinxhirin e vjedhur e kishin shitur në një dyqan argjendarie.

Hetuesit policorë kanë arritur të gjejnë zinxhirin duke ia kthyer viktimës, ndërsa shuma e të hollave të cilët të dyshuarit I kishin marrë nga shitja i janë kthyer pronarit të argjendarisë.

Përveç grabitjes policia te të dyshuarit ka gjetur edhe sasi të substancave narkotike.

Dy të dyshuarve pas procedurave intervistuese, me vendim të prokurorit të çështjes u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa ata dyshohen për grabitje dhe blerje,  posedim, shpërndarje ose shitje e substancave narkotike.