Foto: Kallxo.com

Video:Prokurori që Urdhëroi Aksionin e Javës për Skandalin e Mishit

Hetimi i cili nisi me iniciativën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, pas raportimeve për cilësinë e mishti të dyshimtë dhe me afat të skaduar rezultoi me bastisjen e disa lokacioneve në regjionin e Prizrenit në depo dhe fabrika të përpunimit të mishit.

“Urdhri gojor verbal është marrë nga gjyqtarët e procedurës paraprake të gjykatave kompetente të regjioneve ku do të zhvillohet bastisja. Dhe në bazë të atyre urdhrave njësia për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prizren, së bashku me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë  së Kosovës do të bëjnë bastisjen”, tha kryeprokurori Admir Shala i cili udhëhoqi aksionin.

Në detaje të tjera të transmetuara nga ekipi i “Drejtësia në Kosovë”, kryeprokurori Admir Shala ua jep detyrat e qarta hetuesve dhe inspektorëve që ishin pjesë e aksionit për bastisjen e lokacioneve në Rahovec dhe Suharekë.

“Inspektorët e AVUK-ut kanë shkatërruar këtë sasi të mishit në pikën kufitare në Vërmicë. Dhe ne duhet të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore me qëllim të vërtetimit të saktë të gjendjes faktike se çfarë po ndodhë me këto dy kompani. Ky është një shqetësim i përgjithshëm i gjithë opinionit dhe ne jemi të thirrur që të sigurojmë që qytetarët të konsumojnë ushqimet e shëndetshme dhe të mos ju rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre. Do të dilni në terren të bëni bastisjet dhe do të siguroni të gjitha provat e nevojshme, qoftë pajisje elektronike, apo dokumentacion që çon drejt zbardhjes së kësaj situate”, ka deklaruar kryeprokurori Shala në takimin me hetuesit policorë dhe inspektorët e AVUK-ut para se të fillojnë bastisjet.

Ndiqeni videon e mëposhtme: