Gjykimi i Granit Paçarizit | Foto: KALLXO.com

Videoincizimi i Përleshjes Shikohet në Gjykimin e Granit Paçarizit

Në gjykimin ku Granit Paçarizi akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, u shikua video-incizimi i kamerave të sigurisë së bastores “Toto Sport” që ndodhet përballë ëmbëltores te “Jupa” ku ndodhi përleshja mes dy grupeve më 6 korrik 2013 në Prizren.

Nga video-incizimi i kësaj date nuk u pa se kush shtiu, ngase pamja e kamerave të sigurisë pengohej nga një dru i mbjellë dhe një reklamë, por u dëgjuan 7 të shtëna në intervale të ndryshme kohore.

Vetëm një person me revole në dorë u pa teksa largohej nga rruga dytësore, për të cilin i akuzuari Paçarizi pretendoi se është Ardian Shala.

Shala kishte dëshmuar në njërën nga seancat e kaluara kur kishte mohuar se u përfshi në përleshje.

Në atë seancë Granit Paçarizi kishte kërkuar që Shalës t’i bëhet ekzaminim i trupit, pasi tha se Shala ishte plagosur në ditën kritike.

http://kallxo.com/deshmitaret-flasin-per-perleshjen-ne-gjykimin-e-granit-pacarizit/

në seancën e sotme dëshmoi Aret Bytyqi që pranoi se njihte personalisht Egzon Krasniqin dhe Hamit Alemdarin që në ëmbëltoren “Te Jupa” sulmuan Granit Paçarizin.

Bytyqi tregoi në gjykatë se bashkë me Egzon Krasniqin në ditën kritike kishte shkuar në Lokalin “Crem Caffee“, ku sipas Bytyqit Egzon Krasniqi i kishte thënë se po i priste Hamit Alemdari.

“Unë kam parkuar automjetin në afërsi të kësaj kafiterie ku më pas Egzoni dhe Hamiti kanë  biseduar diçka pastaj që të 3 kemi hypur në automjet të Hamitit dhe kemi vazhduar drejt rrugës kryesore kah qendra“, tha Bytyqi.

Dëshmitari më tutje tregoi si filoi përleshja në Lokalin “Te Jupa”.

“Unë se kam ditë pse po shkojmë aty se nuk kisha shku kurrë, ata jashtë  lokalit vetëm janë rrokë me fjalë, ndërsa kur kanë hyrë brenda unë nuk kam parë asgjë përpos krismave të armëve që i kam dëgjuar”, tha Aret Bytyqi.

Ai më tutje rrëfeu se i dha ndihmë të plagosurit Egzon Krasniqi.

“Ka dalë Egzoni nga lokali i plagosur të cilin e kam ndihmuar të hypte në makinë duke e nisur drejt spitalit”, tha Aret Bytyqi.

Bytyqi mohoi se janë të tij disa pjesë të deklaratës së dhënë në polici, kur u ballafaqua me këtë deklaratë.

Kur iu tha se këtë deklaratë e kishte nënshkrtuar, Bytyqi deklaroi se  nënshkrimi në deklaratë nuk ishte i tij.

“Nuk kam shpjegim për disa pjesë të kësaj deklarate, aty çka s’paskan kan shkru policia, madje as  nënshkrimi nuk është i imi“, tha Bytyqi.

Avokati i Granit Paçarizit konsttoi se dëshmia e Aret Bytyqit nuk është e besueshme, ndërsa i propozoi gjykatës që t’i bëjë ekspertizë grafalohgjike nënshkrimit në deklaratë, pasi sipas avokatit dëshmitari po pretendon se është kryer vepra penale falsifikim i nënshkrimit.

Gjykata nuk e aprovoi propozimin e avokatit me arsyetimin se çështja e nënshkrimit nuk është objekt i shqyrtimit në këtë gjykim.

Seanca do të vazhdojë edhe sot kur do të merret në pyetje Granit Paçarizi.