Arkiv Revole e konfiskuar nga Policia e rajonit të Prishtinës - Foto: PK

Video: Policia Zbulon Revolen pas Raportimit në KALLXO.com

Në edicionin e së premtes, “Drejtësia në Kosovë” ka shfaqur pamjet nga aksioni i Policisë, i cili është ndërrmarrë pas një raportimi në KALLXO.com.

Në shkurt të këtij viti një qytetar kishte raprotuar në KALLXO.com se një person i mitur kishte postuar në rrjetin social “Instagram” një fotografi me një revole.

Informacioni në fjalë ishte transferuar te Policia e Kosovës. Këta të fundit, siç shihet në pamjet e transmetuara, ndërrmarrin një aksion bastisjeje në shtëpinë ku besohet se jeton i mituri.

Togeri Bekim Zogiani, përgjegjës i aksionit, ka sqaruar se informacioni është marrë dhe përmes rrugëve policore është identifikuar lokacioni ku jeton i mituri.

“Kemi marrë urdhërin nga prokurori dhe gjykatësi për të zhvilluar bastisje”, ka thënë Zogiani.

E tërë ngjarja është zhvilluar në prani të kamerave të rubrikës “Policia”. Të parët që janë takuar në hyrje të shtëpisë kanë qenë prindërit, të cilët kanë pranuar se revolja është e tyre.

“Po revolja ime qenka”, ka thënë shkurt babai i cili menjëherë u ka treguar policëve vendodhjen e armës,

Pas identifikimit dhe konfiskimit të armës, i njëjti është shoqëruar në Polici për intervistim.

Raportimet e qytetarëve në KALLXO.com, me qindra raste, janë përdorur për të inicuar dhe zhvilluar hetime nga organet e rendit.

Vetëm gjatë vitit 2017 platforma ka pranuar mbi 4 mijë raporte prej të cilave 1.350 janë verifikuar dhe nga to janë ndërtuar raste.