Video: Mungesat që Shtynë Seancën për Lotsjellësin

Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme të gjykimit ku bashkë me Faton Topallin e Albulena Haxhiun akuzohen për aktivizim të gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit.

Gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të Kurtit e Kadaj-Bujupit nga policia. Tha se një urdhëresë të tillë po e lëshon për herë të fundit.

Pastaj, seancën që u shty sot, e caktoi më 10 tetor.

Në seancë mungoi edhe deputetja e PAN-it Flora Brovina, që është e dëmtuar e këtij procesi.

Pas seancës Faton Topalli që është kandidat për kryetar të Ferizajt në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, tha se caktimi i seancës në kohën e fushatës zgjedhore do ta dëmtojë atë si kandidat.

Albin Kurti kishte munguar edhe në seanca tjera të këtij gjykimi, ndërsa Kalludra kishte lëshuar urdhër-arrest për të.

Ky urdhër-arrest ishte pezulluar nga gjyqtari Beqir Kalludra në kohën e zgjedhjeve të 11 qershorit me arsyetimin se donte të ulte tensionet në kohë të zgjedhjeve, ndërsa Kurti pas tyre ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.