VIDEO - Momenti kur Inspektorët Tatimorë Marrin Urdhrin për Bastisje në Veri

Hetuesit e Administratës Tatimore me detyra konkrete nga Prokuroria e Shtetit në Mitrovicë, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, nisin një operacion të gjerë të hetimit për dyshimet se kompani gjigande nga Kosova kanë përdorur fatura fiktive nga veriu i vendit për t`iu shmangur tatimeve të shtetit.

Hetimi është fokusuar në transaksionet bankare të cilat tregojnë se shuma të parave ishin bartur nga jugu në kontot e bizneseve në veri pa u shkëmbyer mallra dhe vetëm duke përdorur fatura fiktive.

Gjetjet e transmetuara nga “Drejtësia në Kosovë” tregojnë se skema dhe të dhënat nga ky hetim janë dorëzuar në fillim të javës në prokurorinë e Mitrovicës.

Reportazhi tregoi se si pas dëshmive që ofruan inspektorët tatimorë, prokurori Sahit Tmava me urgjencë kërkoi nga gjykata e Mitrovicës lëshimin e urdhrit për bastisjen e bizneseve dhe shtëpive ku dyshohet se janë  të fshehur biznesmenët të cilët prodhojnë fatura fiktive për bizneset në jug të vendit.

“Kërkesa nga ana jonë ka përfunduar. Nesër në mëngjes jemi në kontakt”, deklaron prokurori Tmava pasi ia dorëzoi urdhrin inspektorit tatimor Murat Mehmeti.

“Sigurisht do të fillojmë në mëngjes në kohën e ligjshme që është e paraparë, sigurisht rreth orës shtatë. Do ju informojmë për mbarëvajtjen edhe për të gjitha  do ju njoftojmë, provat e reja shtesë që do të gjenden do ju sjellim”, thotë Murat Mehmeti pasi mori urdhër-kontrollin nga ana e prokurorit Tmava.