Shpallja e aktgjykimit në rastin e Zoran Vukotiqit – Foto: KALLXO.com

VIDEO: Mbrojtja paralajmëron ankesë ndaj lirimit të Zoran Vukotiqit

Mbrojtja e familjeve të dëmtuara në rastin e gjykimit për krime lufte të Zoran Vukotiqit është shprehur e befasuar me vendimin e Gjykatës së Mitrovicës, e cila e shpalli të pafajshëm të akuzuarin për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Për familjarët e viktimave dhe të gjithë të dëmtuarit aktgjykimi lirues ka qenë një goditje sikurse në ditën e krimit”, tha për KALLXO.com mbrojtësi i palëve të dëmtuara, Eron Prekazi.

“Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer pasi që përkundër të gjitha provave dhe dëshmive Gjykata nuk e pa të arsyeshme që të akuzuarin ta shpallë fajtor”, theksoi Prekazi.

Mbrojtësi Eron Prekazi paralajmëroi se mbrojtja në koordinim me prokurorin do t’i shqyrtojë të gjitha mundësitë dhe në afatet e parapara ligjore do të ushtrojnë ankesë kundër këtij aktgjykimi.

Gjykata e Mitrovicës sot shpalli të pafajshëm Zoran Vukotiqin,i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në maj të vitit 1999 ne qytetin e Vushtrrisë.

Vukotiq ishte ekstraduar nga Mali i Zi në Kosovë në nëntor të vitit 2016.

Aktakuza e ngritur nga një prokuror i EULEX-it dhe një prokuror vendor e ngarkonte Zoran Vukotiqin për kryerjen e veprave penale – krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Në aktgjykimin e shpallur sot në këtë gjykatë nga gjyqtari Darius Sielicki, i akuzuari Vukotiq u shpall i pafajshëm lidhur me tri pikat e aktakuzës.

Në arsyetimin e tij lidhur me këtë vendim Sielicki deklaroi se për t’u vërtetuar krimet e kryera fajësia duhet që të provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.

Ai tutje shtoi se nuk ka pasur dyshim për faktet për gjerat që kanë ndodhur në maj të vitit 1999, por ka pasur dyshime thelbësore lidhur me pjesëmarrjen e të pandehurit në këto krime, si person përgjegjës për të gjitha ato te këqijat dhe mizoritë që u kishin ndodhur të dëmtuarve.

“Fillimisht flasim për faktet që janë vërtetuar nga ana e trupit gjykues duke marrë parasysh dëshmitë e dëshmitarëve që janë dëgjuar në gjykatë. Duhet të theksohet se dëshmitarët kanë bërë një rrugëtim mjaft koherent por gjithashtu ka pasur shpërputhje në rrëfimin e tyre duke pasur parasysh kohën e gjatë që ka kaluar nga koha kur ka ndodhur ngjarja. Përfundimisht nuk ka pasur asnjë kuptim që të gënjejë dikush apo ndonjë përpjekje që të vënë në lajthim gjykatën, apo ndonjë përpjekje që ka fabrikuar ngjarjen. Shumica prej dëshmitarëve kanë dalë me qëndrimin e tyre sa i përket identifikimit të dorasve. Të gjitha dyshimet që kanë dalë sa i përket këtyre dëshmive a kanë pasur të bëjnë me saktësinë e identifikimit të këtyre personave. Kjo saktësi është mohuar nga ana e dëshmitarëve të cilët kanë pasur mundësi të bëjnë identifikimin e këtyre personave në ato momente”, tha kryetari i trupit gjykues.

Gjyqtari po ashtu përmendi dëshmitë e disa dëshmitarëve duke thënë se ata e kishin mohuar që Zoran Vukotiq kishte qene personi që i kishte kryer krimet për të cilat akuzohet.

Në arsyetimin e trupit gjykues thuhej se dëshmitarëve u është paraqitur fotografia e të akuzuarit Vukotiq, e cila i takon mjetit të tij identifikues, e cila sipas trupit gjykues ishte bërë disa vite para ditës kritike.

Trupi gjykues në prani të palëve tha se nga të gjithë dëshmitarët, vetëm dy kanë arritur ta identifikojnë të akuzuarin Zoran Vukotiq, duke cekur më pas se kjo ka ngritur dyshimin se dorasi i vërtetë ka ngjashmëri të madhe me të akuzuarin.

Më pas kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sielicki, tha se trupi gjykues i ka refuzuar disa prej deklaratave të dëshmitarëve të cilët e kanë njohur të akuzuarin Vukotiq në fotografi si thellësisht të pambështetshme. Një dëshmitare madje tha se ka punuar me Vukotiqin në Gjykate dhe ajo e kishte njohur në fotografi por në dëshminë saj te fundit ka thënë se hera e fundit kur e ka parë Vukotiqin në Gjykatë ka qenë viti 1993 kur në atë kohë Vukotiq ka qenë 13 vjeçar.

Sidoqoftë, dënim të merituar, i cili do të pasqyrojë krimet e kryera nga ana e të akuzuarit Zoran Vukotiq, e kishte kërkuar të martën më 15 maj 2018, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, prokurori Paul Flynn, gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare në këtë rast.

Sipas aktakuzës përveç plaçkitjeve, trajtimeve çnjerëzore e torturave të cilat ua kishte bërë Zoran Vukotiq civilëve shqiptarë, ai në bashkëkryerje me personin e quajtur Gorolub Paunoviq kishin vrarë edhe katër shqiptarë.

Vrasja kishte ndodhur në shtëpinë e Bedri Fazliut në prezencën e dy grave Sanije Fazliu dhe Fikrije Shaqiri.

Lidhur me këtë gjykim janë mbajtur afërsisht 20 shqyrtime gjyqësore në të cilat janë dëgjuar dëshmitë e shumë dëshmitarëve, të cilët kanë rrëfyer para trupit gjykues të përberë nga Eulex-i përjetimet e tyre ditën kur kishte ndodhur ngjarja.