Hysni Hoxha - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Lirohet nga Aktakuza Hysni Hoxha

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur para pak minutash aktgjykimin në rastin e ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, zyrtarit të këtij institucioni, Hysni Muhadri dhe kontabilistit të kompanisë “Conex Group”, Arsim Robelli.

Tre të akuzuarit janë liruar nga akuzat.

Sipas Gjykatës, nuk është provuar se Hoxha, Muhadri e Robelli e kanë kryer veprën.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri, më datën 20 qershor 2013, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me dashje direkte dhe me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie kompania “Conex Group”, sh.p.k., Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, të iniciuar nga autoriteti kontraktues – Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare të tyre.

Ata akuzohen se duke i fshehur provat e siguruara nga ATK-ja para dy anëtarëve tjerë të panelit shqyrtues të drejtuar nga Hysni Hoxha, ku në mungesë të këtyre provave anëtarët e panelit bien në lajthim dhe refuzojnë ankesën e operatorit ekonomik ankues, me ç’rast kompanisë “Conex Group” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 1.779.759,54 euro.

http://kallxo.com/ngritet-aktakuze-ndaj-shefit-te-tendereve-hysni-hoxha/

Ndërsa Arsim Robelli, në cilësinë e ofruesit të shërbimeve të kontabilitetit përmes biznesit “Es – Services” për biznesin “Conex Group”, me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për biznesin “Conex Group”, në bashkëkryerje dhe me dashje përpilojnë dhe përdorin dokumentet e falsifikuara dhe atë raportet e kontributeve për punëtorët e biznesit “Conex Group” për periudhat tremujore TM-4 2010 dhe TM-4 2011, ku të njëjtat i dorëzojnë në aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi i lokaleve afariste në Qytezën Pejton”, ku si rezultat i përdorimit të këtyre dokumenteve kompania “Conex Group” është trajtuar si operator i përgjegjshëm dhe është shpallur fitues i kontratës në vlerë prej 1.779.759,54 euro.

Në seancën e javës së kaluar është paraqitur fjala përfundimtare nga palët.

Prokurori i çështjes Sylë Hoxha kërkoi nga trupi gjykues që të akuzuarit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadrin t’i shpallë fajtorë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare si dhe të akuzuarin tjetër Arsim Robellin ta shpallë fajtor për falsifikim të dokumenteve, dhe të njëjtëve t’u shqiptojë dënimet e parapara me ligj.

http://kallxo.com/prokurori-kerkon-denimin-e-ish-shefit-te-tendereve/

Kurse, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi lirimin e të pandehurve nga akuzat.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht nga ky gjykim. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.