Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com

Video: Fjalimi i Albin Kurtit për Astrit Deharin

Në interpelancën për vdekjen e Astrit Deharit, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili ishte edhe propozues i saj, tha në fund të debatit se nuk mund të arrijmë te e vërteta pa e ngritur çështjen e përgjegjësisë.

Kurti përmendi edhe të gjeturat e raportit  të dalë nga mjekët që kishte caktuar familja Dehari. Përmendi edhe lëndimet në qafë, që siç tha nisur nga pozicioni i lëndimeve në qafë, duket se Astriti nuk i ka bërë vetë lëndimet.

“Çfarë janë duke thënë këta dy mjekët ligjor të familjes është se nuk ka shpjegim që Astriti i cili nuk ishte majtak dhe përdorte dorën e djathtë, t’i ketë shkaktuar vetë këto lëndime në anën e djathtë të qafës, poshtë nofullës. Lëndimet që paraqiten në pjesë e djathtë që duket se janë bërë me brisk rroje do të kishin kuptim deri diku të ishin vetë lëndime nëse astriti do të kishte qenë majtak”, tha Kurti

Ai kërkoi nga deputetët që të votohet mocioni i VV-së:

MOCION PËR INTERPELANCË

  1. Realizimi pa vonesa i hetimit të pavarur ndërkombëtar si dhe bashkëpunimi pa pengesa nga institucionet ligj zbatuese të Republikës së Kosovës.
  2. Shkarkimi i menjëhershëm i zyrtarëve brenda Policisë së Kosovës përgjegjës për rastin në mënyrë që t’i hapet rrugë hetimit të plotë dhe pa pengesa.
  3. Shkarkimi nga pozita e Ministres në Kabinetin Qeveritar – Dhurata Hoxhës, si ministre nën udhëheqjen e së cilës dështoi përmbushja e detyrës zyrtare në lidhje me mungesën mbarëvajtjes së institucioneve korrektuese dhe pengesën në hetime të pavarura.

I njëjti nuk kaloi dhe vazhdimi i seancës u shty për 21 mars.