VIDEO Fatmir Limaj Proteston në Gjykatë

 

I akuzuar për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre zyrtare lideri i NISMA për Kosovë, Fatmir Limaj, ka zhvilluar një debat me tone të larta me prokurorin dhe gjykatësin e EULEX-it. Pas një varg pyetjesh të prokurorit Hardaway, Limaj ka shpërthyer në drejtim të trupit gjykues.

“Duhet të respektosh ligjin jo të thuash çka do që don, ka rregulla për tu respektuar këtu. A mundeni me na parë njëjtë? Me na respektua të drejtat tona. Si të qetësohem, po bëni hajgare, po luani këtu. Duhet të respektohet ligji e jo të e lejoni (prokurorin Hardaway) të bëjë çfarë të dojë”, ka thënë Limaj.

Ky tension erdhi si rezultat i pyetjeve të prokurorit, Charles Hardaway për dëshmitarin Ali Aliu.

Prokurori Charles Hardaway gjatë seancës e ka ballafaquar dëshmitarin me disa komunikime në mes tij, Arsim Lokshin dhe Beqir Deda. Deda ishte i akuzuar në rastin e njohur si MTPT 2, por që prokuroria kishte hequr dorë nga përndjekja penale e tij.

I thirrur për të dëshmuar Aliu për gati pesë orë sa ka zgjatur gjykimi është përgjigjur me “Nuk e di” në pyetjet e prokurorit.

Fatmir Limaj akuzohet për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre në rastin e njohur si MTPT.

Në procesin e njëjtë me Limajn dhe për akuza të njëjta me të nga Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka. Akuza ndaj Limajt lidhet me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në komunën e Gjilanit. Limaj këtë aktakuzë, që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2, më 30 tetor të vitit 2015, e cilësoi të ngritur me urdhër politik.

Aktakuzen e plotë në këte rast mund ta lexoni ne këtë link.

18 Korrik 2017 - 19:28

Arita Gërxhaliu 18/07/2017 - 19:28
NDËRVEPRIMI0